Të dielën starton edicioni i 33-të në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, derisa xhiroja e parë Shkëndijën e çon në Gostivar për transfertën me debutuesin në Ligën e Parë, KF Besa nga Dobërdolli.
]Para duelit të parë të sezonit të ri, për mediat ka folur sulmuesi anësorë i kuqezinjëve, Adenis Shala, duke shprehur pritjet për takimin Besa-Shkëndija që luhet në stadiumin e qytetit në Gostivar me fillim në orën 17:00.
Futbollisti Adenis Shala, shpreh optimizmin “Ne të dielën do ta kemi ndeshjen e parë të kampionatit të ri dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë duel. E dijmë se nuk do ta kemi aspak të lehtë sepse përballë kemi skuadër që debuton në Ligën e Parë të Maqedonisë.
Mendoj se ata do ta kenë një motiv të madh sepse do të luajnë ndaj nesh. Mirëpo ne duhet të shofim punën tonë, të japim maksimumin dhe të dalim fitimtar nga kjo ndeshje”.
Besa e motivuar për debutim?
Adenis Shala, përgjigjet: “Si që thash edhe më herët, ne do ta kemi një ekip si që është Besa, ekip që për herë të parë do të luajë në elitën vendore. Normal nuk do të jetë ndeshje e lehtë për ne, pasi Shkëndija është motiv i madh për çdo rival. Por ne duhet të mendojmë për veten, të japim maksimumin dhe të nxjerrim rezultatin e dëshiruar, që është fitorja.
Shpresojmë me ndihmën e Zotit ta nisim mbarë kampionatin dhe që në ndeshjen e parë ta marrim fitoren e parë”.