Të dielën fillon sezoni i ri në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë dhe kuqezinjtë nisin rrugëtimin e tyre si mysafirë në Gostivar.
“Të dielën starton edicioni i 33-të në elitën vendore, ku Shkëndija do të përballet me Besën e Dobërdollit në Gostivar.
Ky sezon do të jetë një sfidë e re për tanët në synimin për të kthyer titullin kampion në Tetovë, derisa historik për Besën, e cila debuton në Ligën e Parë pas promovimit nga Liga e Dytë. Kuqezinjtë synojnë të nisin sezonin me këmbë të mbarë, duke kërkuar fitoren në këtë duel të parë të kampionatit.
Besa Dobërdoll është një skuadër që ka treguar potencial gjatë sezonit të kaluar në Ligën e Dytë, duke siguruar një vend në elitën e futbollit maqedonas. Edhe pse debutues, Besa synon të tregojë vlerat e veta dhe të përballojë sfidat në një nivel më të lartë.
Stafi teknik ka punuar brenda javës për sfidën me Besë dhe lojtarët janë të motivuar për ta nisur sezonin me fitore.
Përgatitjet kanë shkuar mirë dhe ekipi është gati për sfidën e parë të kampionatit.
Ndeshja Besa Dobërdoll – Shkëndija është në program të dielën në stadiumin e qytetit në Gostivar me fillim në orën 17:00”, - njofton FC Shkëndija.