Jo vetëm Kalulu

Futboll

Jo vetëm Kalulu

Më: 14 gusht 2024 Në ora: 15:36
Kalulu

Pier Kalulu është lojtari më i ri i Juventusit.

Mbrojtësi që u bë i “famshëm” me fanellën e Milanit do të nisë një aventurë të re me bardhezinjtë. Palët gjetën gjuhën e përbashkët në kohë rekord dhe lojtari do të jetë shpejt nën urdhrat e Tiago Motës.Por ky nuk është lajmi i vetëm nga bisedimet mes Milanit dhe Juventusit.

Drejtuesit kanë folur edhe për çështje të tjera që e bëjnë aksin Torino-Milano shumë të nxehtë 2 javë nga fundi i merkatos. Bardhezinjve iu intereson edhe një tjetër lojtar, Aleksiz Salmakers. Tiago Mota e njeh mirë sepse e kishte vitin e kaluar te Bolonja. Ai mund ta bëjë komod edhe me “Zonjën e Vjetër” në rast se nuk do të arrihen marrëveshjet për ata që janë të parët në listën e dëshirave si Niko Gonzales, Konseisao dhe Galeno.

Ndërkohë që Milani mund të “peshkojë” në radhët e Juventusit 2 lojtarë. Emrat që kanë qarkulluar janë ai i Federiko Kiezës dhe Arkadiuzh Milik.

Sulmuesi italian ka një rrogë të lartë dhe ky është problemi i madh që “Djalli” nuk po futet në bisedime serioze. Askush në kampin kuqezi nuk i vë në dyshim cilësitë e Kiezës, por e dinë shumë mirë që mund të prishin ekuilibrat në skuadër në rast se sjellin një lojtar me rrogë sa ajo e Leaos, që është nga më të paguarit në skuadër.

Sa i përket sulmuesit polak, gjithçka mund të ndodhë në ditët në vijim. Ai nuk ishte prezent me Juventusin në miqësoren e fundit sepse ende nuk është rikuperuar, por shihet si një sulmues ideal për Fonsekën. Pavarësisht se Milani ia ka dorëzuar fanellën me numrin 9 Luka Joviçit, Ibrahimoviç është duke parë me vëmendje zhvillimet. Edhe Abraham është një lojtar që pëlqehet shumë nga kuqezinjtë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat