“Absolutisht jo”. Përgjigje e prerë dhe e bindur nga Daniele Orsato në lidhje me mundësinë për t’u bërë efektivisht një konsulent i ri i komisionit të arbitrave të Federatës Ruse të Futbollit. “Më ishte kërkuar të bashkëpunoja si ekspert arbitrash me Federatën Ruse, brenda një paneli me nivel të lartë teknik.
U kënaqa shumë nga ftesa, por duke pasur parasysh situatën aktuale socio-politike dhe parimet etike që më kanë udhëhequr gjithmonë, si brenda dhe jashtë fushës, vendosa të mos e pranoj”.
Arbitri nga Schio, pasi përfundoi turneun e fundit madhor me Kampionatin Europian në Gjermani, dha dorëheqjen nga arbitrimi. Më pas u përfol se do të shkonte në Rusi për të ndihmuar në rritjen e arbitrimit atje. Megjithatë, siç u zbulua nga “La Repubblica”, italiani e hodhi poshtë propozimin që mori, duke shtuar se çfarë e ardhmeje e pret:
“Për më tepër, në muajt e ardhshëm dua t’i përqendroj të gjitha energjitë e mia në ndërtimin e një projekti teknik me AIA në Itali. Emërimi si president? Jo, unë jam teknik.
Natyrisht, sot bota është e rrënuar nga konfliktet e brendshme mes rrymave të ndryshme politike, të cilat ndërhyjnë edhe në menaxhimin teknik. Është thelbësore të bëjmë një ndryshim”.
Orsato dha një opinion personal edhe për funksionimin e VAR: “Tani është një mjet i domosdoshëm për të reduktuar gabimet e arbitrave, por ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë një brez gjyqtarësh që dinë të vendosin vetë me personalitet. VAR-i duhet t’i ndihmojë ata, jo t’i zëvendësojë. Ndonjëherë siguria nuk është as në pamjet video, ndaj për këtë arsye vendimi i fushës shpesh do të mbetet i pazëvendësueshëm”.