Plarent Fejzaj do të vijojë karrierën e tij në Kazakistan. Ish- mesfushori i Kukësit duket se ka gjetur marrëveshjen me skuadrën e sapongjitur në elitën e futbollit kazak, Turan Turkistan, një skuadër e cila këtë sezon synon që të paktën të sigurojë mbijetesën.
Kanë qenë mediat kazake që kanë zbuluar këtë transferim, me mesfushorin shqiptar që do të vijojë karrierën për herë të parë jashtë vendit. Mallakastrioti e ka nisur karrierën me ekipin e vendlindjes së tij, Bylisin, për të provuar më pas disa aventura të tjera në futbollin shqiptar, si: Burreli, Kamza, Dinamo, Tomori dhe së fundmi Kukësi në Superiore.
Edicionin e fundit ai ka luajtur një rol protagonisti me 32 takime dhe qenë ndër më të aktivizuarit në kampin blu. Fejzaj, madje ka shënuar edhe një gol, në atë barazim 3 me 3 ndaj Erzenit në transfertë. 27 vjeçari shkon në Kazakistan në një kohë që kampionati ka nisur dhe skuadra e tij e re nuk ndodhet në pozita të mira, pasi lufton për mbijetesë.
Pas 13 ndeshjesh të luajtura, Turan Turkistan ka grumbulluar vetëm 12 pikë dhe ndodhet në vendin e 11- të nga 14-të ekipe që ka ky kampionat.
Fejzaj është një lojtar që rolin e tij natyral e ka një mesfushor difensiv para mbrojtjes, por edhe mund të përshtatet në reparte të tjera. Aktualisht, vlera e tij në treg është 150 mijë euro, me një karrierë që e ka pasur në rritje nga viti në vit.