Conte as që donte të fliste për objektivat

Futboll

Conte as që donte të fliste për objektivat

Më: 17 gusht 2024 Në ora: 14:40
Antonio Conte

Antonio Conte është dikush që gjithmonë përpiqet ta zhvendosë presionin dhe vëmendjen, por nga konferenca e tij e parë për shtyp, në prag të Verona-Napoli, del një pamje e zymtë. “Merkatoja është bllokuar, situata është shumë e komplikuar dhe më vjen keq. Me ardhjen këtu shpresoja të gjeja një situatë më të mirë, megjithatë mundohem të shoh aspektet pozitive.

Vendi i dhjetë i sezonit të kaluar nuk është i rastësishëm apo rezultat i një fati të keq. Nëse më pyesni se sa kohë do të duhet për t’u rikthyer në krye, them se nuk e di. Por kjo nuk më tremb, unë them se duhet të punojmë dhe të shkojmë përtej limiteve tona. Napoli po kalon një moment kritik”. Conte as që donte të fliste për objektivat: “Nuk më pëlqen, do të duhet të jemi të bashkuar në vuajtje”.

A jeni i kënaqur me punën e deritanishme dhe merkaton?

Ne kemi më shumë se një muaj që punojmë, kjo që po bëjmë me ekipin më kënaq, sepse djemtë duan të punojnë dhe të rriten. Kjo më ndihmon dhe më jep entuziazëm. Në merkato e dini shumë mirë që situata është shumë e ndërlikuar dhe e trishtë.

Çfarë do të thotë kjo?

Është një situatë e ndërlikuar dhe e bllokuar, nuk mund të them gjë tjetër.

Cila është motoja e këtij fillimi sezoni?

Motoja jonë duhet të jetë të japim 200%. Duhet të shkojmë përtej limiteve tona, sepse është një moment kritik për Napolin. Presidenti foli në fillim për rindërtimin e skuadrës. Si trajner bëra vlerësimet e mia duke thënë se duhet një rindërtim total. Nëse nxjerr 10-12 lojtarë në treg do të thotë se po bëhet një rindërtim, duhet durim dhe përulësi nga të gjithë, edhe nga ana e mjedisit, pa u infektuar nga entuziazmi i dëshirës për të rindërtuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat