Pritja përfundoi. Tani fundjavat do të quhen realisht të tilla, sepse rikthehet kampionati më i dashur për shqiptarët: Seria A. Futbolli italian do të ngrejë siparin e konmpeticionit më të rëndësishëm me 4 ndeshje ditën e sotme, ku vëmendja e madhe sigurisht që do të jetë tek 2 skuadrat e Milanos.
Interi kampion do të zbresë në “Marassi” të Xhenoas për të provuar të riniset aty ku u ndal një sezon më parë. Tani fanella peshon më shumë sepse në kraharorin e zikaltërve janë të stampuar “dy yjet” që simbolizojnë 20 tituj kampionë në historinë e kampionatit italian.
MISIONI ZIKALTËR- Zikaltrit e dinë që të rifitojnë titullin kampion nuk do të jetë e lehtë, edhe pse ata konsiderohen si një nga skuadrat favorite nga të gjithë. Ekipi i Simone Inzagit ka ruajtur grupin e futbollistëve të rëndësishëm, formacionin nuk e ka prekur nga merkato dhe për më tepër ka afruar 3 elemente cilësorë si TaremiZielinski dhe portieri spanjoll Martinez
. Përveç kësaj, trajneri e njeh mirë ambientin dhe nuk i duhet shumë kohë për t’u përshtatur, në krahasim me të tjerët. Skema do të vazhdojë të jetë e pandryshuar dhe objektivi po ashtu.
TË TJERËT- Mirëpo skuadrat e tjera të mëdha kanë lëvizur dhe kanë bërë revolucion për të tentuar të rrëzojnë Interin nga froni. Sigurisht që koha është në disfavorin e tyre pasi duhen pak javë që të përçojnë idetë në skuadrat e tyre. Napoli ia ka besuar ringritjen Antonio Kontes, ndërsa Juventusi Tiago Motës. Edhe Milani largoi Piolin për të nisur një aventurë me Fonsekën. Sinjalet kanë qenë pozitive.
VËSHTIRËSIA- Mirëpo Interi ka përpara një fakt të pakundërshtueshëm. Në 4 sezonet e fundit, skuadrat që kanë fituar titullin kampion nuk e kanë përsëritur dot këtë histori një vit më vonë. Juventusi ka qenë i fundit që dominoi bindshëm me 9 tituj radhazi dhe ishte Interi që ndali hegjemoninë e bardhezinjve. Kur të gjithë prisnin konfirmimin edhe pse Konte u largua, Inzagi nuk ia doli dot dhe ia dorëzoi titullin kushërinjve.