Gjatë verës, Luis Enrique ka përforcuar të gjitha repartet e skuadrës që drejton me Safonov, Pacho dhe Joao Neves.
Megjithatë, askush nuk kishte mbërritur ende për të mbuluar rolin sulmues, pas largimit të Kylian Mbappe. Është e qartë se zbrazëtia e lënë nga ylli francez do të jetë e pamundur të plotësohet. Por, me Desire Doue PSG ka nënshkruar me një top-lojtar të vërtetë. Ai vjen nga Stade de Rennes në këmbim të 60 milionë eurove, shitja më e shtrenjtë në historinë e klubit në fjalë. Ai ka nënshkruar deri në vitin 2029.
Desiré Doué është ‘perla’ e fundit që ekipi i të rinjve të Stade de Rennes ka prodhuar pas Doku, Camavinga, ose Dembélé, me të cilin do të ndajë një ekip që tani e tutje. “Playmakeri” i ri francez, vetëm 19 vjeç, filloi ta “nxjerrë kokën” në ekipin e parë sezonin 2022-2023. Ishte sezoni në të cilin u bë debutuesi i shtatë më i ri në historinë e klubit dhe, në moshën 17-18 vjeç, luajti gjithsej 32 ndeshje.
Ai sezon i parë në Francë ishte paraqitja e tij në elitë. Në fakt, ai u bë golashënuesi i dytë më i ri në historinë e Rennes vetëm pas Camavinga. Me largimin e Doku te Manchester City, verën e kaluar, ai ka shpërthyer, duke shënuar sezonin e kaluar 8 gola në 42 ndeshje për Rennes. 25 prej këtyre ndeshjeve i luajti si titullar. Tani duhet të “shenjtërohet” në një gjigant si PSG.
Me aftësinë për të vepruar përgjatë gjithë reaprtit sulmues, megjithëse prirja e tij është të avancojë në të majtë. Desiré Doué dallohet për elektricitetin dhe shpejtësinë e këmbëve për të hequr qafe rivalët, qoftë duke marrë duke rrahur vijën e bardhë anësore të fushës, apo duke kaluar përmes qendrës. Një top-lojtar i vërtetë në përgatitje, mbi të cilin PSG ka “vënë bast” për të trembur Bayern Munich, që i kishte ndjekur hapat e tij prej muajsh.
Ideja është që, në një periudhë afatshkurtër, të përdoret nga Luis Enrique si një stimul, element që mund t’i japë një tjetër ritëm lojës në pjesën e dytë, duke filluar nga pankina, siç ka bërë me Francën në Lojërat e fundit Olimpike. Nën komandën e Thierry Henry, në pak më shumë se 180 minuta lojë ai shënoi një gol dhe dha një asist.
I njëjti rol që duhej të luante sezonin e kaluar Bradley Barcola. Tani, me largimin e Kylian Mbappe te Real Madridi dhe në pritje të një zëvendësuesi të garantuar, në formacionin e PSG-së ka një vend bosh që Kolo Muani, Gonçalo Ramos, Asensio, Kang-In do të përpiqen ta meritojnë, gjithashtu edhe Desiré Doué.