Herët e para janë gjithmonë të veçanta, të vështira dhe sfiduese. Kjo vlen edhe për trajnerin e ri të Barcelonës, Hansi Flik, i cili do të debutojë sonte me ekipin e ri në ndeshjen e parë të sezonit.
Dhe siç do të jetë për gjermanin, ishte edhe për pjesën tjetër të trajnerëve në historinë e Barçës që u është dashur të përballen me provën e parë të vërtetë.
Megjithatë, blaugranat duket se dijnë si t’i bëjnë të tyret debutimet në La Liga, teksa nga dhjetë debutimet e fundit në kampionat, Barcelona ka filluar shtatë raste me këmbën e djathtë.
FITORET – Gazeta “Mundo Deportivo” ka analizuar dhjetë sezonet e fundit, duke marrë për bazë takimin e parë në La Liga. Dhe duhet thënë se Barça nuk mund të qahet nga rekordi i vet. Që nga sezonin 2014-2015, Barcelona ka fituar shtatë herë në debutimin e saj në La Liga. Në sezonin 2014-2015, Barcelona fitonte në shtëpinë e saj kundër Elçes 3-0.
Ishin pesë sezone radhazi që Barcelona e niste me këmbën e mbarë garën në La Liga, një ecuri e ndalur nga Bilbao në sezonin 2019- 2020. Por ndonëse ka fituar 7 nga 10 takimet e para në këto dhjetë sezonet e fundit, Barça nuk fiton ndeshjen e parë në na Liga që nga sezonin 2021-2022. Atë sezon, katalanasit shpartallonin Sociedadin 4-2, ndërsa në dy sezonet e fundit kanë ardhur dy barazime zhgënjyese kundër Vajekanos në shtëpi (0-0) dhe Getafes në transfertë (0-0).
VETËM NJË HUMBJE – Humbja e vetme që Barcelona ka pësuar në dhjetë sezonet e fundit në takimin debutues në La Liga ka qenë përballë Bilbaos në vitin 2019. Në atë sezon, skuadra e Ernesto Valverdes e nisi kampionatin me një disfatë të ngushtë 0-1, pas një goli me roveshatë nga Aduriz.