Të dielën në Tetovë Shkëndija takohet me Rabotniçkin në ndeshjen e xhiros së dytë, e para si vendas në sezonin e ri të LPFMV.
“Pas një fillimi të mbarë në sezonin e ri, ku Shkëndija triumfoi 3:1 ndaj Besës së Dobërdollit në Gostivar, kuqezinjtë do të presin Rabotniçkin në ndeshjen e parë si vendas këtë sezon. Të dielën, ekipi ynë do të kërkojë të vazhdojë serinë pozitive para tifozëve tanë në Tetovë.
Rabotniçki vjen në këtë ndeshje me moral të lartë pas fitores 1:0 ndaj Sileksit në ndeshjen e parë të sezonit. Ekipi nga Shkupi është gjithmonë një kundërshtar i respektuar dhe Shkëndija është e vetëdijshme për sfidën që i pret. Ndeshja pritet të jetë e luftuar, me të dy skuadrat që synojnë të mbajnë ritmin e fitoreve.
Shkëndija do të përballet me dy mungesa për këtë ndeshje. Amir Nuhija nuk do të jetë i disponueshëm për shkak të pezullimit nga kartoni i kuq që mori sezonin e kaluar me Arsimin. Gjithashtu, Ibrahim Alhassan është në pritje të vizës së tij dhe nuk do të jetë në dispozicion.
Pavarësisht këtyre mungesave, trajneri dhe ekipi janë të përgatitur për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje të rëndësishme.
Ndeshja do të luhet në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 17:00.