Pas barazimit në shtëpi me Torinon, kuqezinjtë kanë nisur të mendojnë për sfidën jashtë fushe të së shtunës kundër Parmës, tashmë nën një presion të dukshëm.
Një humbje e mundshme në “Tardini”, fushë që ka qenë gjithmonë e vështirë, do të fillonte të ngjallte polemikat te “Djalli”, edhe pse jemi vetëm në gusht.
Fonseca e di gjithashtu këtë, ndaj kundër verdhebluve do të fokusohet te lojtarët më në formë. Garancitë janë të nevojshme dhe për këtë arsye ka shumë gjasa që portugezi “të heqë pluhurin” nga Pavlovic, Theo Hernandez, Reijnders dhe Morata (i dëmtuar, nuk luan dot ndaj Parmës), t’i aktivizojë që në fillim. Sigurisht, Fonseca është edhe në pritje të Fofana e Emerson Royal, me këtë të fundit që i jep hapësirë frymëmarrje kapitenit të çorientuar Calabria.
Kushtet e katër të përmendura më lart nuk janë ende optimale dhe nuk ka gjasa të jenë në maksimumin e tyre të shtunën e ardhshme. Milani, megjithatë, ka nevojë për to. Për të pasur më shumë fizik dhe intensitet në fushë, por edhe për të interpretuar më mirë detyrat taktike të Fonseca.
Ish-trajneri i Romës kërkon presion të lartë dhe një skuadër më aktive kur nuk është në zotërim të topit. Për më tepër, siç theksoi vetë Morata, duhet ndryshuar urgjent mentaliteti i kuqezinjve. Në “Tardini” do të jetë testi i parë për të kuptuar nëse Milani mund të luftojë vërtet për titull apo jo.