Okafor mund të parakalojë Jovic dhe të luajë si zëvendësues i Morata në transfertën e Parmës, edhe pse serbi qëndron disa pikë përpara në këtë balotazh për momentin. “Milani, – nënvizon “Tuttosport”, – nuk ka bërë ende asnjë komunikim zyrtar për problemin fizik të numrit 7, duke krijuar një mjegullnajë (do të ketë teste të tjera specifike për të kuptuar më mirë shkallën e problemit).
Ndërkohë, enigma mbetet në lidhje me zëvendësuesin e spanjollit, që me siguri do të kishte luajtur titullar në ‘Tardini’, po të mos ishte dëmtuar. Për momentin në rritje është Okafor, i cili shënoi golin e barazimit ndaj Torinos. Zvicerani po kërcënon Jovic, i cili startoi titullar ndaj “granatave”, por bëri paraqitje jo shumë bindëse.
Opsioni i tretë përfaqësohet nga një centralizim në pozicionin qendërsulmues të Leaos, me Okafor në të majtë, ku luan zakonisht portugezi. Nga ana tjetër, diçka të ngjashme e kemi parë tashmë ndaj Torinos, kur Leao tentonte të përqendrohej më shumë se zakonisht, në bazë të orientimeve të reja të Fonseca.
Ideja e fundit, – përfundon “Tuttosport”, – është ajo e promovimit të 16-vjeçarit Camarda, pas dopietës së sulmuesit shumë të ri në Novara, në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Italisë. Gjithsesi, kjo zgjidhje, që e pëlqejnë më shumë tifozët (dhe të gjithë ata që kërkojnë më shumë guxim me të rinjtë italianë), renditet e katërta në planet e Fonseca. Camarda, megjithatë, mund të shtohet në ekipin e parë ndaj Parmës, pasi ‘Milan Futuro’ do të luajë të nesërmen kundër Entella, në ndeshjen e parë të Serie C”.