Menaxheri i ri i Chelseat, Enzo Maresca, ka vazhduar largimin masiv të lojtarëve, duke hequr edhe një tjetër lojtar nga planet e tij, si pjesë e shkurtimit të skuadrës së stërngarkuar me futbollistë.
Maresca nuk është frenuar në vlerësimin e tij për skuadrën e Chelseat që kur iu bashkua klubit në qershor pas shkarkimit të Mauricio Pochettinos.
Trajneri italian kohët e fundit zbuloi se mbi 20 nga lojtarët e klubit nuk po stërviteshin me të, përfshirë emra si Armando Broja, Romelu Lukaku, Raheem Sterling dhe Ben Chilwell.
Tani, raportet e reja të mediave britanike kanë zbuluar se një tjetër lojtar nuk është përfshirë në vizionin e Maresca për Chelsean e sezonit të ri.
Sipas mediumit The Guardian, Axel Disasi nuk është pjesë e planeve afatgjata të Marescas dhe një qendërmbrojtës i ri mund të sillet në klub këtë verë nëse mund të aranzhohet një largim për Disasin.
Mbrojtësi francez iu bashkua Chelseat vetëm gushtin e kaluar, duke rënë dakord për një marrëveshje gjashtëvjeçare pasi nënshkroi nga klubi francez Monaco për një tarifë prej mbi 40 milionë eurosh.
Ai bëri 44 paraqitje për klubin londinez sezonin e kaluar, duke shënuar një gol në debutimin e tij kundër Liverpoolit në ndeshjen e parë të Chelseat në sezonin 2023/24 të Ligës Premier.
Megjithatë, Disasi nuk u përfshi në skuadër për ndeshjen hapëse të sezonit 2024/25 kundër Manchester Cityt, të cilën Chelsea e humbi 2-0.