Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim 25-vjeçarin Mario Bajramaj, njërin prej personave të përfshirë në konfliktin me sende të forta në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut.
Barjamaj rezulton të jetë një futbollist i njohur në vend ku luan me ekipin e Laçit. Të hënën ai ishte në fushën e blertë ku luajti në përballjen Laçi-Tirana në javën e parë të Superligës.
Shkak i nisjes së konfliktit u bë gërvishja e dy mjeteve mes dy vajzave shofere të cilat thirrën të njohurit e tyre për të sqaruar situatën.
Në vendngjarje kanë shkuar Marjo Bajramaj, i shoqëruar nga shtetasi me iniciale I.L dhe nga ana tjetër Fation Dauti, i shoqëruar nga shoku i tij me iniciale A.N të cilët janë konfliktuar fizikisht me sende të forta.
I dëmtuar mbeti Dauti, i cili u dërgua dhe për trajtim mjekësor në spitalin e Traumës, ku mëngjesin e sotëm iu komunikua dhe masa e sigurisë “Arrest me burg”. Gjatë kontrolleve në vendngjarje u gjet edhe një pistoletë e cila dyshohet se i përket Fation Dautit, por që nuk është arritur të përdorej.
Gjithashtu Dautit dhe mikut të tij iu gjet dhe një sasi e dyshuar si lëndë narkotike kanabis sativa.
Fation Dauti u bë i njohur mediatikisht gjatë përplasjeve për selinë e Partisë Demokratike, ku si pjesë e Rithemelimit shqeu portën e një prej sallave ku grupimi i Berishës asokohe donte të mbante mbledhjen e radhës.