Egnatia rigjen kundërshtarin e preferuar

Futboll

Egnatia rigjen kundërshtarin e preferuar

Më: 23 gusht 2024 Në ora: 12:43
Egnatia

Egnatia ka vijuar përgatitjet në kompleksin sportiv të Lekajt gjatë ditës së djeshme, teksa këtë të dielë në orën 17:00 do të luajë kundër Laçit në stadiumin e Rrogozhinës.

Skuadra ka marrë ngarkesën e duhur fizike, ku përveç sulmuesit të dëmtuar, Somaile Bakajoko, pjesa tjetër e ekipit është gati për duelin me kurbinasit. Kampionët në fuqi kanë një bilanc të shkëlqyer kundër Laçit, ku përveçse nuk humbin prej më shumë se dy vitesh, kanë arritur në këtë periudhë t’i eliminojnë nga Kupa dy edicione radhazi.

Trajneri Edlir Tetova ka punuar më tepër faktikisht në seancat e fundit, ndërsa pritet të vijojë t’i besojë modulit 3-5-2, pasi ky rreshtim i jep qëndrueshmëri në prapavijë dhe falë daljeve nga krahët, sulmi i kampionëve bëhet asfiksues. Në portë do të jetë Ilir Dabjani, i cili tregoi edhe kundër Dinamos pse i është besuar vendi i titullarit.

Kavajasi synon të hedhë një hap të rëndësishëm për ta zëvendësuar në mënyrën më dinjitoze Alen Sherrin.

Në prapavijë kapiteni Renato Malota do të ketë si partnerë Dylis dhe Xhemajlin. Nga krahët do të luajnë si zakonisht Fangaj dhe Ndreca, me këtë të fundit që rikthehet titullar pas mungesës ndaj Dinamos për shkak dëmtimi. Trinomi i mesfushës do të përbëhet nga Aleksi në “regji”, si dhe Zejnullai e Lushkja afër tij.

Kavajasi zhvilloi një ndeshje të mirë një javë më parë në “Elbasan Arena” dhe shpreson të ketë vazhdimësi tashmë. Në sulm do të luajnë dyshja Xhoel-Vuthaj, që duket se plotësojnë mëse miri njëritjetrin. Të dy lojtarët lëvizin në të gjithë linjën e sulmit, duke qenë rrezik konstant për mbrojtësit dhe kjo u pa nga çorientimi që pësuan dinamovitët kundër Egnatias.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat