“Janë dy skuadra që më kanë dhënë shumë, të cilave iu jam thellësisht mirënjohës.
Do të jetë një ndeshje interesante, sepse edhe Parma, edhe Milani kanë futboll të mirë në ADN-në e tyre”.
E thotë këtë Arrigo Sacchi, një njohje e vjetër e Parmës dhe Milanit, i intervistuar nga “Gazzetta dello Sport” për të prognozuar ndeshjen e planifikuar në “Tardini”, të shtunën, prej orës 18:30.
A mund t’i trembë kuqezinjtë Parma, që sapo është kthyer në Serie A?
E pashë në ndeshjen e parë të kampionatit të Parmës, ku barazoi me Fiorentinën dhe më bëri përshtypje të shkëlqyer. Shpërdoroi shumë raste për gol, është e vërtetë, por e dominoi fushën dhe ndoshta e meritoi fitoren.
Kundër Milanit do të jetë një tjetër provë, Parma do të duhet të ketë forcën për të përsëritur veten. Unë mendoj se i ka mundësitë.
Çfarë ju pëlqeu te Parma?
E para, është një ekip i përbërë nga të rinj. Fokusi është te freskia, entuziazmi. E dyta. është një ekip që shtyp, që sulmon, që përpiqet të mos e lë kundërshtarin të luajë. Gjëja e tretë, individët. Parma ka talente dhe këtë aftësi e vendos secili në dispozicion të kolektivit.