Pas pak më shumë se një viti, “romanca” mes Milan Skriniar dhe PSG-së tashmë ka marrë fund. I mbërritur verën e kaluar si transferim i lirë nga Interi, qendërmbrojtësi sllovak përfundoi jashtë projektit të Luis Enrique.
Përjashtimi i fundit erdhi para ndeshjes ndaj Montpellier, kur trajneri spanjoll e la jashtë listës së të grumbulluarve për zgjedhje tekniko-taktike. Në këtë pikë, mbrojtësi 29-vjeçar përfundon në treg dhe mund të përfaqësojë një mundësi joshëse, edhe pse paga e tij prej 9 milionë euro, plus bonuset, janë të paarritshme për klubet italiane.
“Ardhja këtu ishte një vendim i lehtë për t’u marrë. Kur një klub si Paris Saint-Germain dëshiron të nënshkruajë me ju, vendimi merret shpejt, mua më mori një sekondë kohë”. Këto ishin fjalët e Skriniar korrikun e kaluar, kur u prezantua si lojtar i ri i PSG-së. Një “tradhti” që tifozët e Interit nuk ia kanë falur kurrë, edhe për shkak se sllovaku priti t’i skadonte kontrata para se të transferohej në Francë falas.
Pasi e nisi sezonin e kaluar titullar në 13 ndeshjet e para (përveç pankinës kundër Strasburgut), Skriniar rrëshqiti ngadalë në hierarkitë e Luis Enrique. Më pas, në janar të vitit 2024, situata u përkeqësua për shkak të dislokimit të ligamentit peroneal anësor në kyçin e këmbës së majtë, gjë që e detyroi të operohej dhe të qëndronte jashtë për dy muaj e gjysmë.
Pasi u kthye, Luis Enrique e përdori atë disa herë në Ligue 1, por nuk e aktivizoi kurrë në ndeshjet më të rëndësishme të Champions League: zero minuta në çerekfinale kundër Barcelonës dhe në gjysmëfinale kundër Borussia Dortmund.
Ardhja e Willian Pacho në verë ishte shenjë e qartë e mungesës së besimit të Luis Enrique ndaj sllovakut, i cili gjithashtu preferon Marquinhos dhe Beraldo karshi tij. Me kthimin e Kimpembe pak pas më shumë se një viti, dyert janë mbyllur përfundimisht për Skriniar. Megjithatë, koha po mbaron dhe ka vetëm një javë për të gjetur strehim të ri.