Ka mbetur edhe një javë fiks deri në fund të merkatos së verës dhe Barcelona vazhdon të punojë jashtë orarit për të siguruar të ardhura që do t’i lejojnë të balancojë lojën e ndershme (fair play financiar) të imponuar nga La Liga, që të arrijë normën 1:1 të dëshiruar dhe që do t’i lejonte të regjistrojë më shumë lojtarë… duke filluar nga Dani Olmo.
Në fakt Barça duket sikur jeton në një paradoks. Me largimin e dyshes Gyndoan-Vitor Roke gjithçka dukej e kthyer. Por në fakt nuk është kështu. As largimi i gjermanit dhe as ai i brazilianit nuk e lejon klubin të arrijë ende këtë skenar të dëshiruar, megjithëse do t’i lërë një diferencë, sipas rregullores së La Liga-s, minimalisht 13 milionë euro. Por handikapi i madh që po kushtëzon gjithçka, dhe siç e ka bërë me dije “Mundo Deportivo”, është shitja e një përqindjeje të “Barça Studios” në verën e vitit 2022.
Një operacion që arriti në 200 milionë euro brenda levave të famshme financiare të ekzekutuara atë verë nga klubi. Deri më tani, klubi i Barçës ka arkëtuar vetëm 40 milionë nga shuma totale, 20 në momentin e shitjes dhe 20 të tjera në verën e 2023-it. Janë ende në pritje 40 të një viti më parë dhe që korrespondojnë me këstin e dytë dhe 60 milionë nga kësti i tretë i shitjes që korrespondon me vitin 2024.
Në verën e vitit 2025 do të jetë kur duhet të hyjnë në llogaritë e klubit edhe 60 milionë të fundit të operacionit. Marrëveshja me “Aramarkun” pak javë më parë dhe e vlerësuar në 40 milionë euro e zbut këtë situatë. Shifra totale nga e cila klubi i Barcelonës do të kishte avancuar tashmë 25 milionë. Me këtë skenar, Barcelona ka ende nevojë për operacione të rëndësishme për të balancuar fair play financiar dhe për të marrë këtë diferencë për t’u regjistruar.
Prandaj, është thelbësore për Barcelonën të jetë në gjendje të lirojë të tjerë lojtarë. Veçanërisht ata që kanë paga të larta, largimi i të cilëve do të ishte me leverdi për klubin.
Me De Jong dhe Arauhon të përjashtuar për shkak të lëndimeve të tyre, shfaqet figura e Klement Lengle, paga e të cilit është rreth 16 milionë euro bruto në sezon (8 milionë neto). Shitja apo transferimi i tij do të siguronte 70% të pagës së tij, që përfaqëson 11.2 milionë euro.
Ky operacion, përveç ndonjë të ardhure tjetër të rëndësishme (kontrata e shumëpritur me “Nike”) do të hapte skenën për klubin e Barçës dhe do të shtonte dy operacionet e tjera këtë verë: largimin e Gyndoan dhe kontrata me “Aramark”.
Kësaj duhet t’i shtojmë edhe shitjet apo transferimet e tjera që janë bërë këtë verë si Mark Guiu, Çadi Rad, Julian Arauho apo Oriol Romeu përveç shpenzimit që është hequr me përfundimin e transferimeve të dyshes portugeze, Zhoao Kanselo e Zhoao Feliks.