Janë luajtur ndeshjet e javës së parë në Kategorinë e Parë!
Është luajtur të shtunën java e parë e Kategorisë së Parë, sezoni 2024/2025. Burreli ka dhuruar surprizën më të madhe të kësaj jave duke marrë një fitore 2-1 në Vlorë përballë Flamurtarit.
Vlonjatët kaluan të parët në avantazh me anë të Fernando 21’.
Por skuadra matjane arriti të vendosë barazpeshën në minutën e 30-të me anë të Ferrukut. Surpriza mban emrin e Hotit, i cili në minutën e 50-të i dhuroi avantazhin 2-1 Burrelit, rezultat që mbeti më fuqi deri në fund.
Në sfidën mes Vorës dhe Apolonisë, gjithçka u vendos në pjesën e parë nga një gol i shënuar nga Kasalla në minutën e 32-të, që i dhuroi tri pikë skuadrës vendase në këtë javë të parë.
Në ndeshjet e tjera, Besa ka arritur të fitojë në transfertë përballë Valbonës me rezultatin 2-0. Barazim 0-0 mes Korabit dhe Lushnjës, ndërsa Pogradeci ka mposhtur me rezultatin 3-1 Kastriotin. Fiton edhe Kukësi, 1-0 përballë Erzenit.