Struga Trim Lum do të synojë edhe fitoren e tretë rradhazi në sezonin e ri, këtë herë në udhëtim në arenën “Todor Proeski” në Shkup, aty ku të dielën do të përballen me Rabotniçkin. Ndeshja do të startojë në ora 16:00.
“Djelmoshat tonë në këtë ndeshje futen me shumë vetëbesim pas atyre dy fitoreve të njëpasnjëshme, ku nuk kemi pranuar asnjë gol. Gëzon fakti se në këto dy ndeshje ka shënuar edhe sulmi edhe mbrojtja, siç ishte rasti në ndeshjen e fundit kundër Besës së Dobërdollit, kur shënoi Sava Radiç.
Ky i fundit pritet të jetë sërish një lider në mbrojtjen tonë, e cila nuk pritet të ketë ndryshime, e ku së bashku me të do të komandojnë edhe Besart Krivanjeva dhe Kire Risteski.
Në mesfushë sërish fjalën kryesore pritet ta ketë Stefan Jevtoski, i cili është ambientuar mjaft mirë krah kapitenit Bunjamin Shabani, që sërish është violina ynë e parë e skuadrës, e që vazhdimisht mundohet të ushqejë me topa futbollistët e repartit sulmues.
Këtu trajneri Qatip Osmani, mund të ketë dilema, kjo për shkak konkurrencës, por edhe formës momentale që gëzojnë. Mirëpo një është e sigurtë, sulmuesit tanë, cili do qofshin në fushë, do të kërkojnë një gol më shumë në rrjetën e Rabotniçkit, ndaj së cilës skuadër kemi një traditë shumë pozitive.
Ndeshja e së dielës do të jetë e 16-ta në kuadër të ndeshjeve në Ligën e Parë, ku deri më tani kemi pësuar vetëm një disfatë, edhe atë në stadiumin tonë, pasi kur janë në pyetje ndeshjet në Shkup, ndaj këtij kundërshtari nuk dimë për disfatë. Në gjithsej 8 ndeshje kemi regjistruar 4 fitore dhe 4 barazime.
Ndryshe ndaj Rabotniçkit kemi një bilanc të përgjithshëm prej 9 fitoreve, 5 barazimeve dhe vetëm një disfate.
Hera e vetme që kemi dalë kokëulur ndaj këtij kundërshtari, ka qenë 16 shkurti i vitit 2020, pra para plotë 4 viteve e gjysmë.
Ndeshjen e fundit e kemi zhvilluar pikërisht në arenën Todor Proeski në Shkup, kur kishim shënuar fitore 2:1. Ajo fitore na afroi edhe më shumë drejt titullit kampion, mirëpo e njëjta shkoi nën hijen e dëmtimit të rëndë të Besmir Bojkut, i cili që nga atëherë ende është jashtë fushave të futbollit.
Ndryshe, Marjan Radeski dhe Nikolla Vlajkoviç ishin kujdesur për fitoren e skuadrës tonë, derisa golin e vetëm për Rabotniçkin në atë ndeshje e kishte realliziar Vlatko Stojanovski.
Gëzon fakti se ky sulmues të dielën nuk do të jetë në gjendje për të ndihmuar skuadrën e tij, kjo për shkak të një dëmtimi të natyrës më të rëndë të pësuar që më herët”, njofton FC Struga TL.