Tirana ka luajtur shumë mirë në dy takimet zyrtare në Superiore ndaj Laçit dhe Vllaznisë, por ajo mbetet e “salduar” te barazimet, një rezultat që skuadra e Shkëmbit e pëlqen shumë.Në 180 minutat e para të Superiores ka marrë 2 pikë, por duhet thënë se sfidat kanë qenë në transfertë. Skuadra është paraqitur mirë ndaj shkodranëve dhe kurbinasve.
Në të dyja sfidat, Tirana ka pasur mundësinë të fitojë, por nuk ia ka dalë. Në fakt, gjatë erës “Shkëmbi”, barazimi ka qenë rezultati më i shpeshtë, mes takimeve zyrtare dhe atyre miqësore. Tirana e Shkëmbit edhe pse ka luajtur 12 ndeshje, ka barazuar gjashtë prej tyre dhe gjashtë të tjera i ka fituar dhe humbur nga tre herë.
Me plot gojën, një skuadër kjo e Shkëmbit e abonuar me barazimet. Në një rast ka barazuar 1-1, dy herë të tjera, barazpeshë pa gola kundër Bylisit dhe Laçit dhe tre herë të tjera ka arritur një barazim 2-2 përballë Skënderbeut, Vllaznisë dhe Ballkanit.
Një seri barazimesh që përbëjnë 50 përqind të ndeshjeve të luajtura. Nga ana tjetër, Tirana ka fituar tre herë kundër Apolonisë, Burrelit dhe Vorës, ekipe që militojnë në Kategorinë e Parë. Tre humbjet janë ndaj Torpedos, Shkëndijës dhe Strugës. Të gjitha këto, ekipe që kanë marrë pjesë apo Tirana është përballur në Europë.