Wojciech Szczesny largohet nga futbolli i luajtur. Pas ndarjes me Juventusin, portieri polak vendos “t’i varë dorezat në gozhdë”.
Një karrierë në nivelin më të lartë: që nga fillimi në atdheun e tij, deri te kalimi në sektorin e të rinjve të Arsenalit, ku shumë shpejt kapi ekipin e parë. Një periudhë e shkurtër te Brentford në formë huazimi dhe sërish te “Topçinjtë”, përpara se të transferohej në Itali.
Dy vite te Roma (sërish në huazim), më pas kalimi i përhershëm te Juventusi, ku me paraqitjet e tij bëri që të mos rëndonte lamtumira e një “përbindëshi të shenjtë” si Gianluigi Buffon. Përveç tre trofeve me Arsenalin (2 “FA Cup” dhe 1 “Community Shield”), ishte eksperienca bardhezi që i dha kënaqësitë më të mëdha: 3 tituj kampioni, 3 Kupa Italie, 2 Superkupa Italie. Tani për Szczesny nis një jetë e re, pa doreza…
Tërheqjen nga futbolli, portieri polak e bëri me një shënim të ndjerë në rrjetet sociale:
“U largova nga Varshava, vendlindja ime në qershor të vitit 2006 për t’iu bashkuar Arsenalit me një ëndërr: të siguroja jetesën nga futbolli.
Nuk e dija se do të ishte fillimi i një udhëtimi jetësor. Nuk e dija se do të luaja për klubet më të mëdha në botë dhe do ta përfaqësoja vendin tim 84 herë.
Nuk e dija që jo vetëm do të fitoja jetesën nga ky sport, por futbolli do të bëhej e gjithë jeta ime.
Unë nuk realizova vetëm ëndrrat e mia, por kam mbërritur atje ku imagjinata ime as nuk do të guxonte të më çonte.
Kam luajtur ndeshje në nivelin më të lartë me lojtarët më të mirë në histori, pa u ndjerë ndonjëherë inferior.
Kam bërë miq për jetën, kam krijuar kujtime të paharrueshme dhe kam takuar njerëz që kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në jetën time. Gjithçka që kam dhe gjithçka që jam, i detyrohem lojës së bukur të futbollit…
Unë gjithashtu i dhashë futbollit gjithçka që kisha. I dhashë kësaj loje 18 vite të jetës sime, çdo ditë, pa justifikime. Sot, trupi im ndihet ende gati për sfida, por zemra nuk më thotë të vazhdoj. Ndjej se tani është koha t’i kushtoj gjithë vëmendjen familjes sime, gruas sime të mrekullueshme Marina dhe dy fëmijëve tanë të bukur, Liam e Noelia.
Prandaj kam vendosur të tërhiqem nga futbolli profesionist. Ky është fundi i karrierës sime si profesionist, që vjen në një kohë për reflektim dhe mirënjohje.
Ka shumë njerëz që do të më duhej t’i falënderoja me këtë rast, por do të përpiqem ta bëj këtë personalisht me secilin prej tyre. Fansave iu detyrohem një falënderim të veçantë që kanë qenë në këtë udhëtim me mua. Ju falenderoj për mbështetjen dhe kritikat, për dashurinë dhe urrejtjen, jeni pjesa më e bukur dhe më romantike e futbollit. Pa ju, kjo nuk do të kishte kuptim! Faleminderit!
Tani, çdo histori ka një fund, por në jetë çdo fund është një fillim i ri.
Se çfarë do të më sjellë kjo rrugë e re vetëm koha do ta tregojë. Nëse 18 vitet e fundit më kanë mësuar diçka, dua të them se asgjë nuk është e pamundur. Dhe më besoni, ëndrrat e mëdha realizohen”.