KF Shkëndija e Tetovës njofton se është arritur marrëveshje e përbashkët për t’u ndarë me mesfushorin Endrit Krasniqi, pas kërkesës së tij për ndërprerjen e parakohshme të kontratës për arsye familjare.
"Në këto momente, KF Shkëndija ka treguar mirëkuptim dhe ndjeshmëri, duke e vendosur gjithmonë mirëqenien e lojtarit në plan të parë. Vendimi për t’i ofruar Endritit mbështetjen e nevojshme dhe lirinë për të qenë pranë familjes së tij është një dëshmi e vlerave të larta jo vetëm sportive që klubi ynë përfaqëson.
Ne falënderojmë Endritin për përkushtimin dhe kontributin gjatë qëndrimit të tij me Shkëndijën. Krasniqi ishte pjesë e rëndësishme e ekipit tonë, dhe ne i urojmë gjithë të mirat në të ardhmen, duke shpresuar që rrugët tona do të kryqëzohen sërish në të ardhmen.
KF Shkëndija mbetet e përkushtuar ndaj objektivave për këtë sezon dhe do të vazhdojë të punojë për të arritur sukses", njofton Shkëndija.