Java e tretë e kampionatit e vë Egnatian përballë Tiranës, për fatin e saj jo në kryeqytet, por në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.Fusha asnjanëse mund të jetë një favor i lehtë për rrogozhinasit, për të arritur fitoren e tretë radhazi.
Pas fitoreve me Dinamon dhe Laçin, me nga një gol diferencë, kjo me Tiranën mund të jetë një provë më serioze për kampionët në fuqi të Shqipërisë, nëse janë po aq të fortë si sezonin e kaluar, siç ata pretendojnë, apo janë dobësuar pak, siç është gjykimi i opinionit sportiv. Tirana ka ndryshuar thuajse totalisht dhe nuk ka më lojtarë me kualitet si sezonet e fundit, por sërish mbetet një kundërshtar me peshë në futbollin shqiptar.
KASA – Për ndeshjen e së dielës trajneri Edlir Tetova ka një mungesë, atë të sulmuesit Bakajoko, i dëmtuar prej kohësh dhe pritet të jetë gati pas ndërprerjes së kampionatit.
Në dyshim është sulmuesi Redi Kasa, i cili mungoi kundër Laçit për shkak të një shqetësimi fizik, që sipas klubit rrogozhinas, nuk është serioz.
Gjithsesi, lojtari i kthyer në verë nga huazimi është në dyshim për sfidën e radhës me Tiranën. Në dy javët e para të kampionatit Egnatia ka luajtur me Vuthajn dhe Xhoel në sulm dhe që të dy kanë arritur të shënojnë nga një gol. Kampionët në fuqi presin rikthimin e Bakajokos dhe Kasës, ndërkohë të gatshëm për repartin e avancuar kanë edhe Drame, Lubas, si dhe afrikanin e afruar së fundi, 19-vjeçarin ganez Mohamed Jahaja.