Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi doli këtë të enjte në një konferencë për mediat, në kuadër të ndeshjes kualifikuese të “EURO Sllovaki 2025”, ndaj Zvicrës (6 shtator, ora 19:30).
Trajneri i kuqezinjve nën 21 vjeçarë komentoi listën e 23 lojtarëve të grumbulluar për këtë takim, dhe tha se është shumë i kënaqur pasi të gjithë lojtarët e ftuar gëzojnë formë të mirë fizike.
Alban Bushi u shpreh se ndeshja ndaj Zvicrës është si një finale, pasi është mundësia e fundit për të shpresuar te kualifikimi, ndërsa shtoi se është i kënaqur që lojtarët e rinj po aktivizohen në kampionatin shqiptar.
Si është gjendja e lojtarëve të grumbulluar? – Jemi munduar të marrim lojtarët që janë më në formë për momentin. Mendoj që kanë bërë shumë mirë në klubet e tyre dhe kanë shumë minuta, sepse ka pasur momente jo shumë të mira për disa nga lojtarët që tani kanë më shumë minuta.
Ndeshja me Zvicrën është një finale për ne, sepse matematika na e lejon që të jemi brenda objektivave dhe do të shkojmë për të fituar. Ekipi është në gjendje shumë të mirë fizike, kemi marrë disa lojtarë të rinj që t’i kemi edhe për sezonin tjetër. Do të doja t’i falënderoja disa lojtarë si Kurtulan, Nikaj, Frroku, Lilo që nuk janë më pjesë e këtij grupi për këtë datëlindje 2002-2003 sepse muajin tjetër kemi edhe një ndeshje të fundit dhe do të fillojmë me datëlindjet e tjera.
Ndeshja me Zvicrën, a synon ende Shqipëria kualifikimin? – Ne e njohim shumë mirë skuadrën e Zvicrës, është një kundërshtarë shumë i fortë dhe ka nivel shumë të lartë. Ka potencial në ekip, por ne kemi një pamje shumë të qartë sepse kemi luajtur ndeshjen e parë në stadiumin “Air Albania”, na kanë mundur 3-1 me tre goditje standarte. Kishin më shumë zotërim topi se ne në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë ne ishim më mirë se ata, edhe në qarkullimin e topin edhe në rastet për të bërë gol.
Patëm disa mundësi për ta barazuar rezultatin, si në pjesën e parë po ashtu edhe në të dytën.
Une mëndoj që ne i kemi të gjitha shanset për të marrë rezultat pozitiv në Zvicër, nuk kemi asnjë lloj presioni. Matematikisht jemi brenda objektivave, kemi edhe dy ndeshje, ndërsa Zvicra katër.
Të shpresojmë deri në fund pasi asnjëherë nuk i dihet në futboll. I kemi të gjitha shanset për ta mundur Zvicrën, ata kanë presion sepse kërkojnë vendin e parë dhe kanë Rumaninë afër tyre. Presioni është te ata dhe jo te ne.