Legia e Varshavës mbrëmë e ka zhvilluar takimin me Dritën e Gjilanit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Skuadra polake ankohet për cilësinë e fushës dhe sipas tyre është si beton.
Kur të gjithë menduan se fusha tani është në gjendjen më të mirë të mundshme ashtu si i ka hije, vjen një skuadër si Legia dhe e kritikon gjenden e saj, e cila kushtoi 1.3 milionë euro
Trajneri i Legias, portugezi Gonçalo Feio, hodhi kritika për gjendjen e fushës pas sfidës me Dritën.
“Sa i takon ndeshjes, nuk kam pritur që fusha të ketë aq ndikim në rrjedhën e lojës.
Nuk e di nëse kemi bërë gjënë e duhur që kemi ushtruar në Poloni, pasi nuk kemi mundur të përshtatemi me fushën.
Ishte e vështirë për ne të operojmë me top, kjo është diçka që duhet menduar. Ishte një ndeshje në fushë të vështirë, kushtet ishin të vështira”, ka thënë Feio.
Legia ka shënuar fitore me rezultat 1:0 ndaj Dritës në Prishtinë, po ashtu fitoi edhe takimin e parë me 2:0 dhe është kualifikuar në fazën e grupeve të Conference League.
Feio shprehet se është i lumtur që asnjë lojtar i skuadrës së tij nuk është i lënduar.
Futbollisti Tomas Pekhart, autor i golit të fitores për Legian, tha se fusha ishte e keqe.
“Arritëm synimin tonë të parë. Jemi shumë të lumtur, ndonëse ishte një ndeshje e vështirë, në një fushë shumë të keqe”, ka thënë Pekhart.
“Kjo fushë. Është një terren artificial i mbuluar me gurë. Ju vraponi mbi të si në beton.
Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në karrierën time”, tha futbollisti çek që luan për Legian.