Një rinovim kontrate i shumëpritur për trajnerin Silvinjo dhe një tërheqje surprizë nga ekipi kombëtar i mesfushorit protagonist në Europian kundër Kroacisë, Klaus Gjasula.
Shqipëria po bëhet gati për Ligën e Kombeve, një kompeticion i cili u krijua për të zëvendësuar miqësoret dhe që raportet me përfaqësuesen tonë, nuk i ka edhe aq të mira, shkruan Panorama Sport.
Thënë kjo, nga rezultatet e edicionit të fundit me në krye Edi Rejën, ku në grup dolëm të tretët pas Izraelit dhe Islandës, sepse Rusia ishte dhe është e dënuar nga UEFA. Por tashmë, pritet të luhet tjetër melodi, e mundësuar edhe nga stafi i ri teknik.
Një ekip me më shumë eksperiencë që vjen pas tri ndeshjeve të mira në Europian dhe që do të tentojë promovimin në Ligën A, kundër rivalëve të Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Çekisë. Kombëtarja do ta nisë më 7 shtator këtë aventurë në Pragë, ku do të përballet me Ukrainën dhe këto dy ditë Silvinjo pritet të shpallë edhe listën e futbollistëve të grumbulluar.
SITUATA – Nëse porta, mbrojtja dhe mesfusha nuk i shkaktojnë “dhimbje koke” Silvinjos, ai që sjell shqetësim është reparti i sulmit. Me Armando Brojën e dëmtuar në tendinë, stafi teknik do të vuajë edhe mungesën e Mirlind Dakut në ndeshjen e parë.
Sulmuesi po kalon një formë fantastike në nisje të sezonit në Rusi, por dënimi i marrë nga UEFA për sjelljen pas ndeshjes me Kroacinë, bën që trajneri të mos e llogarisë për Ukrainën. Me Sokol Cikalleshin e tërhequr nga Kombëtarja pas lënies jashtë Europianit, alternativa e vetme për majën e sulmit për momentin për Silvinjon është Rei Manaj. Lushnjari ishte titullar me Kroacinë dhe Spanjën në Europian, ndërkohë që për alternativë nuk përjashtohet mundësia e ndonjë emri të ri si Indrit Tuci, i cili po bën mirë me Spartën e Pragës në Çeki dhe mund të debutojë me Kombëtaren në Ligën e Kombeve.
Megjithatë, rikthimi i Myrto Uzunit me fanellën kuqezi, ka gjasa ta spostoj beratasin nga krahu i majtë në qendër të sulmit, duke parë edhe situatën. Braziliani mund ta përdorë Uzunin si pykë, ashtu siç luan te Granada në Spanjë, gjithnjë nëse Rei Manaj nuk është në kondicionin e duhur. Nga ana tjetër, anësorët e sulmit janë disa, me Hoxhën, Seferin, Asanin apo Mujën dhe Mehmetin, që presin rastin, duke mos harruar Bajramin që spostohet majtas.