Klubi i Suharekës, ka bërë lëvizje të mëdha në tregun e transferimeve për edicionin 2024/25 të Superligës së Kosovës, duke ofruar kontrata të mëdha për lojtarët, klubi ka treguar ambicie për të ndërtuar një ekip konkurrues që synon pjesën e sipërme të tabelës.
Lorik Boshnjaku, Suhareka arriti të nënshkruajë me Boshnjakun nga Vllaznia e Shkodrës, duke mposhtur konkurrencën e Gjilanit, kontrata e tij sezonale kap vlerën prej 120 mijë eurosh, një shifër e madhe për futbollin, që tregon investimet serioze të klubit për të sjellë cilësi në ekip.
Endrit Krasniqi, transferimi më i fundit dhe ndoshta më i rëndësishmi i Suharekës, Endrit Krasniqi, mesfushori ofensiv dhe ish-lojtari më i mirë në Superligën e Kosovës, ka refuzuar një ofertë nga Drita për të nënshkruar me Suharekën.
Kontrata e tij kap vlerën e 150 mijë eurosh, duke e bërë atë një nga lojtarët më të paguar në kampionat.
Suhareka ka investuar ndjeshëm për të sjellë lojtarë cilësorë, duke synuar të krijojë një ekip të fortë dhe konkurrues nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro.
Këto investime tregojnë qartë synimin e klubit për të qenë një pretendent serioz në Superligën e Kosovës.
Pavarësisht se është sezoni i tyre i parë në elitën e futbollit, Suhareka ka treguar se nuk ka frikë të garojë me klubet më të mëdha dhe të njohura të vendit.
Klubi ishte gjithashtu shumë pranë nënshkrimit me Nazmi Gripshin, duke ofruar një pagë edhe më të lartë se ajo e Krasniqit, gjë që tregon se klubi është i gatshëm të bëjë investime të mëdha për të siguruar lojtarë të talentuar dhe për të arritur objektivat e tyre në kampionat.