Ideja që i lindi në mendjen Paulo Fonseca javën e fundit është e bujshme. Në seancat e fundit stërvitore trajneri portugez ka mbajtur Theo Hernandez dhe Rafael Leao jashtë 11-shes startuese. Në ndeshjen e së shtunës, më 31 gusht, kur Milani të sfidojë Lazion në “Olimpico” të Romës, dy lojtarët kryesorë të kuqezinjve mund ta nisin nga pankina.
Pas dy ndeshjeve të para, trajneri portugez tha se nuk ishte plotësisht i kënaqur me disa situata në fazën e moszotërimit dhe për këtë arsye mund të rifillojë nga një 11-she tjetër, duke dërguar sinjale të forta për të gjithë mjedisin kuqezi.
Siç raporton “Sky Sport”, ditët e fundit Fonseca ka provuar një formacion krejtësisht të ndryshëm nga ai i parë deri më tani në Serie A. Ata që do t’i paguajnë veçanërisht janë Theo Hernandez dhe Rafael Leao, dy nga lojtarët që kanë bërë më shumë gabime në ndeshjen e humbur ndaj Parmës.
Nëse trajneri portugez do ta konfirmonte këtë vendim, sigurisht që do të ishte një sinjal i fortë drejt dhomave të zhveshjes dhe në përgjithësi ndaj gjithë ambientit të kuqezinjve.
Në seancat stërvitore të “Milanello”, Chukwueze dhe Terracciano u provuan në formacionin e parë, me të dy zëvendësues, përkatësisht Leao e Theo Hernandez. Një tjetër emër i lënë jashtë titullarëve të mundshëm është Calabria. Kapiteni i Milanit është në vështirësi në fillim të sezonit dhe mund të humbasë vendin e titullarit karshi Emerson Royal.
Formacioni i testuar nga Fonseca në ditët para ndeshjes kundër Lazios përfshin Maignan mes shtyllave, Tomori dhe Pavlovic që qendër të mbrojtjes, me Emerson Royal në të djathtë dhe Terracciano në të majtë.
Në mesfushë, Fofana pritet të jetë titullar së bashku me Reijnders, ndërsa Pulisic, Loftus-Cheek dhe Chukwueze duhet të luajnë më të avancuar, me detyra ofensive. Në pjesën e përparme, Okafor do të jetë i vetmi sulmues, me Morata dhe Jovic në “infermieri” për shkak të problemeve fizike.