Vetëm pista saudite mbetet e hapur

Futboll

Vetëm pista saudite mbetet e hapur

Më: 31 gusht 2024 Në ora: 12:29
Osimhen

Merkatoja e kësaj vere e Napolit ishte padyshim “shpërthyese”, me disa goditje të realizuara nga drejtori sportiv Manna, të cilat kënaqën Antonio Conten. Para së gjithash spikat Romelu Lukaku.

Megjithatë, në shtëpinë napolitane nuk mjaftuan tre muaj negociata për të gjetur një zgjidhje për situatën më të mprehtë, atë të së ardhmes së Victor Osimhen.

Chelsea, një destinacion i favorizuar nga lojtari, nuk arriti të formulonte ofertë bindëse dhe kështu nigeriani mbetet te Napoli, por i ndarë nga grupi dhe skuadra, “peng” i një kontrate mbi 10 milionëshe që është e ndaluar për shumë klube. Nuk është e tillë për klubet saudite, por koha po ikën, sepse merkatoja në Arabi do të mbyllet më 2 shtator.

“Telenovela” e ditës së fundit të merkatos ishte gati për të gjetur një zgjidhje rreth orës 22:30 të së premtes, kur Chelsea u përpoq të rriste ofertën e pagës së nigerianit në 6.5 milionë euro, por iu kërkoi napolitanëve të merrnin përsipër diferencën. Gjithashtu ofroi huazimin e nigerianit, me të drejtë blerjeje. Operacioni nuk bitisi dhe kështu, në mesnatë u zhdukën shanset e fundit të Osimhen për të zbarkuar në një klub tjetër europian.

Megjithatë, ditët e mëparshme dukej se gjithçka ishte bërë për zbarkimin e tij në Arabinë Saudite, pikërisht tek Al Ahli. Pasi ishte arritur një marrëveshje mes klubeve mbi bazën e 75 milionë eurove, Napoli vendosi të kërkonte më shumë, duke i mërzitur të interesuarit. Delegacioni saudit i kishte ofruar vetë lojtarit shifrën monstruoze prej 40 milionë euro në sezon. Problemi lindi kur ndërmjetësit sauditë folën me De Laurentiis, i cili kërkoi një sërë bonusesh të lidhura me të ardhmen.

Ndërkohë, sauditët nuk qëndruan duarkryq dhe përfunduan nënshkrimin e Toney, sulmuesit të Brentfordit. Lëvizje që lë ende të hapur një dritare shumë të vogël mundësish për të tentuar përmirësimin e marrëdhënieve me Napolin, me synimin për ta transferuar Osimhen deri më 2 shtator. Prognoza duket gjithçka tjetër, përveçse e qetë. Ndërkohë, Osimhen jeton i ndarë nga skuadra në Napoli.

Ai është jashtë planeve të sezonit të ri, nuk u thirr nga Conte për ndeshjen në shtëpi kundër Parmës dhe rrezikon të qëndrojë në tribuna të paktën deri në janar, kur hapet dritarja e transferimeve dimërore. Tifozët, nga ana e tyre, shpresojnë se kjo përçarje mund të ndreqet në një farë mënyre dhe, për të mirën e Napolit, ndoshta të shohin një sulm ëndrrash të përbërë nga Osimhen dhe Lukaku në këto muaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat