Trajneri i Bylisit, Egbo u shpreh i kënaqur me barazimin që skuadra e tij arriti në transfertë ndaj Laçit.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për mikrofonin e “RTSH”, tekniku afrikan, ndër të tjera deklaroi:
“Mendoj që barazimi ishte rezultat i drejtë, për mënyrën si u zhvillua loja në 90 minuta. E rëndësishme është që nuk kemi pësuar gol në 2 ndeshje rresht. Kjo është pozitive. Një pikë në fushën e vështirë të Laçit është diçka pozitive.
Në pjesën e parë kishim erën në favor, në pjesën e dytë kishim vështirësi në qarkullimin e topit. Peralta nuk kishte mundësi të vazhdonte ndeshjen. E rëndësishme është që ekipi nuk ka pësuar gol.
Në pjesën e dytë kishim kundër erën, nuk na lejoi ta luanim topin shpejt nga poshtë. Ekipit i thashë ta mbante mbrapa portën e paprekur dhe të shfrytëzonte mundësitë që do të dilnin. Kështu e kishim përgatitur lojën. Lojtarët interpretuan shumë mirë taktikën e lojës që aplikuam gjatë javës.
Disa lojtarë kanë 1 javë që kanë ardhur. Gjata nuk është gati të luajë 90 minuta, por nuk kemi shumë lojtarë shqiptarë. Me kalimin e javëve do të forcohemi më shumë edhe në sulm”, u shpreh Egbo.