Besa mposhti Korabin në Rrogozhinë me rezultatin minimal 1-0 në një ndeshje të dominuar nga fillimi deri në fund. Golin vendimtarë të këtij takimi e shënoi Mentor Mazrekaj në minutën e 85-të të sfidës. Pas këtij triumfi Besa shkon në kuotën e 6 pikëve po aq sa Vora në vendin e parë. Në përfundim të sfidës, trajneri i kavajasve Mirel Josa dha prononcimin e tij për RTSH Sport.
“E dinim që Korabi do mbrohej. Duhet të vertikalizonim më tepër me mesfushorët anësor. Dolëm në pozicione goli, në ato raste kur gjuajmë nga jashtë janë efikase për ne sepse kundërshtari ishte shumë thellë. Duhet të luajmë pak më shpejtë. Korabi nuk na e la këtë në mesfushë e në krah pasi mbrohej mirë.
Kur luajmë në një fushë të mirë duhet të jemi më të qartë. Stafa është në pozita shumë të mira, ndërsa Oliveira dihet që është më shumë ofensiv. Do të mundohemi të vijmë aty ku duam të jemi.
Janë 2 ndeshjet e para dhe skaudrat po njohin njëra-tjetrën. Nuk diskutohet që do të kemi probleme dhe sot u vu re qartë. Prania jonë në zonën kundërshtare nuk ishte ajo që duhet dhe duhet të shërbenim shumë më shpejtë.
Mazrekaj? Pati njëfarë lodhje në fund, por në ato raste ne rrezikuam. Barazimi për ne nuk ishte i vlefshëm. Fuqia sulmuese e skuadrës së Korabit na lejoi të bënim këto lëvizje”, tha Josa.