Barella gjallëron Interin

Futboll

Barella gjallëron Interin

Më: 3 shtator 2024 Në ora: 13:08
Capello

“Juventus, tani të duhen emrat e mëdhenj. Barella e gjallëron Interin. Milan, shumë keqkuptime”. Fabio Capello, përmes faqeve të “Gazzetta dello Sport” analizoi tri ndeshjet e para të kampionatit të tre emrave të mëdhenj tradicionalë nga Italia e Veriut.

Për Juventusin: “Në dy ndeshjet e para gjithçka dukej kaq e lehtë, por kundër Romës skuadra bardhezi bëri një hap prapa.

Të fitosh ndeshje të këtij lloji është gjithçka, nëse dëshiron të luftosh për titullin. Pushimi prej kombëtareve do të jetë thelbësor për Thiago Motta.

Lojtarët e rinj duhet të integrohen gradualisht. Në fund të fundit, mendoj se në këto tri ndeshjet e para, Motta ka treguar diçka ndryshe. Tani është momenti i emrave të mëdhenj për ta marrë për dore Juventusin, edhe i atyre të ardhur në merkaton e kësaj vere”.

Mbi Milanin: “Ka disa probleme, disa lojtarë nuk po performojnë siç duhet. Fonseca duhet të punojë në fazën e mbrojtjes. Nuk më pëlqeu qëndrimi i Leao dhe Theo Hernandez në ndeshjen e fundit. Mungesa e respektit ndaj shokëve të skuadrës është e patolerueshme, edhe pse mund të ishin të inatosur nga ulja në pankinë”.

Mbi Interin: “Fitorja 4-0 kundër Atalantës ishte një shfaqje e jashtëzakonshme force. Po flasim për një ekip që dëshiron të përmirësohet, manifesti i asaj që po them mbetet Barella. Eurogoli ishte i jashtëzakonshëm, por edhe një herë doli në pah dëshira e tij për të fituar”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat