Rafinja është një nga lojtarët që e ka nisur në formën më të mirë të mundshme sezonin 2024- 2025 me Barcelonën. Lojtari i kombëtares braziliane ka nisur sezonin e tij të tretë në Barcelonë dhe nga një lojtar i nxjerrë në treg për shitje, është kthyer në një pikë referimi për Hansi Flikun.
Por fillimet e tij si “cule” kanë qenë shumë delikate. Ai madje ka menduar edhe largimin nga Barça, siç e pranoi në një intervistë për programin “Tu diràs” në radion “RAC1”. Në emision ai pranoi gjithashtu se dikur kishte studiuar mundësinë e largimit nga futbolli, teksa e konsideron atë një profesion shumë të vështirë. Ai siguroi se bën terapi për të mbijetuar në këtë sport dhe për të qëndruar i motivuar.
IDEJA E LARGIMIT – “Po, është e vërtetë se kam menduar të largohem nga Barcelona. Gjashtë muajt e parë ishin të komplikuar për mua dhe familjen time. Pas Kupës së Botës (2022), u përmirësova dhe arrita ta përfundoja mirë sezonin. U qetësova, por fillimi ishte mjaft i vështirë. Përshtatja ime me klubi ishte i vështirë, e dija se duhej ta bëja, por nuk e mendoja se do të ishte aq e vështirë”.
THASHETHEMET – “Është e bezdisshme të shohësh çdo ditë në media thashetheme për largim. Çdo ditë ka një lajm të ndryshëm, kjo përfundon duke ju shqetësuar. Por di të them se mendja ime ka qenë gjithmonë këtu te Barça. Kam marrë shumë oferta, por gjëja më e mirë për mua është të jem te Barça”.
SAKRIFICA – “Nëse punon shumë dhe dëshiron të bësh një karrierë futbolli, nuk duhet të dorëzohesh asnjëherë. Unë kam pasur shumë arsye për të hequr dorë, për ta lënë mënjanë futbollin dhe për të vazhduar jetën time. Është një profesion që të shkatërron.
Kam pasur momente kur kam ardhur në shtëpi dhe nuk e dija nëse do të ngrihesha në mëngjes të vija të stërvitem përsëri, kam qarë shumë, edhe këtu bëj punë psikologjike sepse e kam parë që është shumë e rëndësishme të gjithë duhet të bëjnë sepse të ndihmon shumë. Futbolli të shkatërron. Është shumë e lehtë të biesh në depresion”.
REALI – “Jam i habitur që nuk kanë arritur të bëjnë atë që duhet të bëjnë teorikisht në letër, por futbolli nuk është teori. Futbolli luhet në fushë dhe aty tregohet nëse je apo jo i përgatitur, nëse je në formë të mirë apo jo, e gjithë kjo në fushë”.