Interesim i madh për përballjen mes kombëtares së Kosovës dhe Rumanisë.
Janë shitur të gjitha biletat.
13.000 shikues do të janë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Është sfida e parë e Ligës C të Kombeve.
E premtja, 6 shtator (20.45) festë futbollit në kryeqytetin e Kosovës.
Kryetari i tifozëve Dardanë, Lulzim Berisha, kërkon mobilizim.
“Të gjithë njëzëri, të gjithë për Kosovën!
Të premten për ne ndeshja kundër Rumanisë është jetike. Lusim krejt anëtarët e Dardanëve dhe çdo tifoz që do të jetë në stadiumin “Fadil Vokrri” që të vishet ose të ketë me vete bluza apo rekuizita të Kosovës. T’i japim stadiumit ngjyra të Republikës.
Të njoftohen të gjithë mohuesit e shtetësisë sonë se këtu ka gra e burra që me krenari përkrahin ngjyrat e përfaqësimit të Republikës së tyre.
Prandaj, merrne me vete bluza, shalla, plisa, kapele sportive e gjithçka tjetër me ngjyra të Kosovës dhe ato të simboleve të flamurit kombëtar. Bujarinë e mikpritjes të Dardanisë antike do ta ruajmë me nder, por edhe do të tregojmë me përgatitjet që kemi ndërmarrë se ne dimë si popull t’i dalim zot këtij vendi dhe krenohemi me shtetin tonë.
Mbajeni në mend, fitorja do të jetë e dyfishtë: në fushë dhe tribuna. Prishtinën dhe Kosovën e pret një festë sportive e gjithëmbarshme.
Kosova, toka jonë e shenjtë!”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në facebook.