Interi është më i kompletuari për titullin e Serie A

Futboll

Interi është më i kompletuari për titullin e Serie A

Më: 5 shtator 2024 Në ora: 12:11
Capello

Fabio Capello, ish-trajneri i Romës dhe Milanit, ndër të tjera, ka analizuar kampionatin në faqet e “Gazzetta dello Sport” pas tri ndeshjeve të para. E nis nga dy trajnerë, që e njeh mirë: “Dy trajnerë të guximshëm, Motta dhe De Rossi.

I dyti e mbajti jashtë Danilon, kapitenin e sezonit të kaluar, teksa u përqendrua te lojtarët e rinj që kishte stërvitur në parasezon. Tjetri la jashtë Dybala. Veprime që tregojnë guxim profesional, por justifikohen vetëm nëse i shoqërojnë me rezultate pozitive”.

Për skuadrat pretendente: “Interi është më gati se të gjithë, më i kompletuari për titullin, më i testuari në sistemin e lojës. Gjëja më e vështirë për Inzaghin do të jetë rotacioni. Duhet të ketë kujdes në këtë aspekt, të mos përsërisë gabimin që bëri ndaj Benfica duke ndryshuar më shumë se gjysmën e ekipit. Mund të ndërrosh dy-tre lojtarë, maksimumi.

Juventusi është një kantier ndërtimi, por e ka nisur mirë kampionatin e ri. Për të shfrytëzuar më shumë aftësitë e Vlahovic duhet diçka më shumë nga krahët. Pres të aktivizohen edhe ata që ishin ulur në stol të dielën, Conceiçao, Nico Gonzalez, për të dhënë një mendim më të plotë për ekipin e Thiago Motta”.

Në lidhje me atë që ndodhi te Milani, të shtunën, Capello shtoi: “Theo dhe Leao po përplasnin këmbët si fëmijët e zemëruar që iu kanë marrë lodrat e tyre. Klubi ka vendosur ta lërë këtë episod të kalojë në heshtje, pa asnjë masë.

Sidoqoftë, nëse Fonseca dëshiron ta ketë ekipin ende në duart e tij, duhet ta zgjidhë këtë çështje. Askush nuk mund të jetë mbi ekipin, ndryshe do të përbënte fyerje për lojtarët e tjerë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat