Trajneri i trajnerëve në vendin tonë, Ajet Shosholli, ish selektori i parë i kombëtares së Kosovës në periudhën 1991-1996, mendon se ballafaqimi me Rumaninë do të jetë i vështirë.
Përballja mes Kosovës dhe Rumanisë do të zhvillohet nesër (20.45) në kuadër të grupit 2 të Ligës C të Kombeve.
Takimi luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Me kureshtje pritet përballja e parë mes këtyre dy kombëtareve që e njohin mirë njëra - tjetrën.
“Është ndeshje shumë më rëndësi për ne, si fillim, besoj që djelmoshat tanë do të bëjnë çmos që nesër të kenë rezultat pozitiv edhe pse më thënë të drejtën e kemi një kundërshtar shumë të fortë, të cilin e pamë edhe në Evropian”, tha Shosholli për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Kryetrajneri i gjeneratës së artë të Prishtinës së Fadil Vokrrit, nga nëntori 1984 e deri në mars të vitit 1985, tha se rumunët e kanë një selektor me përvojë siç është Mircea Lucescu.
“Ata e kanë angazhuar një trajner më shumë eksperiencë, 79-vjeçari Mircea Lucescu, por besoj e shpresoj se djelmoshat tanë do të bëjnë çmos për fitore. Besoj që selektori ynë Foda për këtë kohë i ka vlerësuar të gjitha anët taktike të futbollistëve tanë.
Është një e mirë që të gjithë futbollistët tanë janë në formë dhe kanë filluar mirë kampionatet në shtetet e jashtme ku luajnë ata, janë në një formë të mirë.
Shpresoj që Foda do të gjejë lojën në mënyrën më të mirë, pjesën taktike të lojës që do të na çojë deri në fitore. Mendoj që në aspektin taktikë t’i kundërvihemi rumunëve dhe të na sjellin fitoren”, ka përfunduar Shosholli.