Kastrioti pret golat e Kapllanit

Futboll

Kastrioti pret golat e Kapllanit

Më: 10 shtator 2024 Në ora: 13:25
Dejvid Kapllani

Kastrioti ka nisur me vonesë përgatitjet për sezonin e ri, por ndërprerja e kampionatit u dha një dorë krutanëve për të kapur formën e duhur dhe për të harmonizuar grupin. Duke nisur nga ndeshja e nesërme me Lushnjën pritet që ekipi të kthehet te fitorja.

Golashënuesi kryesor i krutanëve në sezonin e kaluar, me 14 gola vetëm në fazën e dytë, ishte Dejvid Kapllani, i cili iu bashkua Kastriotit në merkaton e janarit. Në një prononcim për “Panorama Sport” sulmuesi durrsak flet fillimisht për ndeshjen e kaluar ndaj Apolonisë dhe më pas për sfidën e radhës në shtëpi. Sipas tij, Kastrioti bëri një paraqitje të mirë në Fier dhe në se shënjestra e tij në minutat e fundit do ishte e saktë, krutanët mund të dilnin dhe më tri pikë.

Kapllani iu bashku Kastriotit në këtë sezon pak para fillimit të kampionatit, por beson se goli do të vijë shumë shpejt dhe do të bëjë detyrën si në edicion e shkuar. “Ndryshe nga ndeshja në Pogradec, në Fier, Kastrioti tregoi një fytyrë tjetër.

Ekipi tani është më i konsoliduar, ndonëse dihet se puna për këtë sezon ka nisur me vonesë. Gjithsesi, lojtarët po përshtaten mirë me filozofinë e trajnerit Bubeqi. Në Fier bëmë një paraqitje të mirë dhe e merituam barazimin.

Pavarësisht se morëm një pikë, atje shkuam për fitore. Tani presim Lushnjën dhe kam besim se do e mbyllim me fitore këtë përballje, pa mohuar vlerat e verdhejeshilëve”, u shpreh Kapllani. Në aspektin personal, sulmuesi ndihet disi prapa për sa i përket përgatitjeve, pasi u paraqit në stërvitje vetëm një ditë para nisjes së garës.

“Kam ardhur i fundit në stërvitje, por besoj se goli do vijë me pak durim. Tashmë po përshtatem dhe në këto ditë të përgatitjeve po punoj me ritëm të lartë për t’u përshtatur me lojën e ekipit. Po vazhdoj punën dhe kam shumë besim se goli do të vijë. Objektivi i vetëm është të ngjisim Kastriotin sa më lart në renditje”, tha Kapllani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat