Fusha në stadiumin afro 100 milionësh të Rumanisë në gjendje të keqe

Futboll

Fusha në stadiumin afro 100 milionësh të Rumanisë në gjendje të keqe

Më: 10 shtator 2024 Në ora: 19:42
Pamje

Kombëtarja e Rumanisë mbrëmë luajti ndeshjen e saj të dytë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, dhe të parën si vendas.

Rumania i “bëri konak” Lituanisë në stadiumin “Steaua Stadium” ose i njohur ndryshe edhe me emrin “Ghencea Stadium”.

Rumania fitoi 3-1, por ajo që bëri “bujë” më shumë ishte gjendja e fushës së këtij stadiumi, që i tëri ka kushtuar 95 milionë euro për t’u ndërtuar.

Gjendja e fushës ishte si mos më keq, madje e cilësuar si “horror” nga media rumune “Golazo.ro”.

Edhe selektori i Rumanisë ishte shumë i ashpër me kritika ndaj fushës së këtij stadiumi, duke thënë se mund të luajmë në qytete të tjera e jo vetëm në Bukuresht.

“Është dashur të përgjigjemi me pasime të shkurtëra, por ishte e pamundur për shkak të fushës. Kemi vendosur çdo gjë në lojën me pasime. Ka pasur gabime dhe lojtarët kanë vuajtur, janë bërë nervoz. Terreni ishte disavantazh i madh. Shpresoj se nuk do të kthehemi në këtë fushë, nëse nuk e rregullojnë atë. Mund të luajmë edhe në qytete tjera”, ka thënë selektori i Rumanisë, Mircea Lucescu.

Ka pasur ankesa edhe nga lojtarë të Rumanisë, madje disa prej tyre kanë thënë se gjendja e fushës ishte edhe më e keqe se në Kosovë.

Siç raporton „Golazo.ro“, dy ndeshjet e nëntorit, Rumania do t’i luajë në „Arena Nationala“.

Aty pritet të luajë edhe Kosova, pasi kombëtarja dardane do të zhvillojë ndeshjen e saj ndaj Rumanisë më 15 nëntor.

Rumunët ishin ankuar edhe në fushën e “Fadil Vokrrit” para takimit me Kosovën më 6 shtator.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat