Ilir Daja është trajneri i ri i Dinamos. 57-vjeçari vendosi që të mbyllte aventurën e tij në Kosovë me Ballkanin, për t’u rikthyer sërish si dinamovit. Gjithashtu, Daja ka mbajtur edhe fjalën e tij në konferencën për shtyp para mediave gjatë prezantimit të tij te Dinamo.
“Rikthehem në shtëpi dhe nuk kam nevojë për prezantim.
Pavarësisht se është një kohë e gjatë, kam të njëjtat emocione si kur isha lojtar i kësaj skuadre. Falënderoj presidentin Bardhi që më riktheu në shtëpi.
Dinamon e gjej në Superiore dhe me një kompleks të ri. Do të përpiqemi të krijojmë një grup stabël dhe kemi nisur bashkëpunimin për të afruar lojtarë me kontrata afatgjata.
Debutimi në derbi? Koha ka qenë e paktë, do të jetë ndeshje e vështirë. Partizani ka ruajtur boshtin, disa lojtarë i kam stërvitur edhe vetë, kanë aftësi individuale të bëjnë dëm”, ishin fjalët e para të Ilir Dajës si trajner i ri i Dinamos.