Supersfida e javës së katërt të Superiores, ajo mes Vllaznisë dhe Egnatias është mbyllur me fitoren e shkodranëve. Ndeshja e zhvilluar në “Loro Boriçi”, përfundoi 3-1 në favor të vendasve. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i Egnatias, Edlir Tetova.
“Ishte një ndeshje jo e mirë e ekipit tim. Ishim shumë vonë në presing dhe topat e dytë ishin problemi ynë, aty ku Vllaznia përfitoi. Nuk besoj që lojtarët janë të ngopur, por kjo ishte një ndeshje e dobët. Kjo ishte një nga ndeshjet më të dobëta në drejtimin tim.
Sot ishte thjeshtë një ditë shumë e keqe e ekipit. Asgjë nga ato çfarë ishin bërë në stërvitje, nuk u bënë sot. Duhet të jesh agresiv dyfish për të mbrojtur titullin.
Kur ekipi është keq, pesha bie mbi trajnerin. Nga fiziku jemi mirë, pasi në 3 ndeshjet e para kemi dominuar. Manovrat unë i zgjedh sipas lojtarëve që kam, avash-avash do të shohim një rrugëdalje, ashtu siç kemi punuar.
Duke parë si është formula e kampionatit, ndeshjet e para të japin mundësi të bësh dhe hapa fals për të sjellë lojtarët në formë. Jam i kënaqur me lojtarët që kam”, tha Tetova.