Besa e trajnerit Mirel Josa bën detyrën në transfertën e Pogradecit, duke siguruar fitoren e tretë në po kaq javë.
Kavajasit kanë gjetur udhërrëfyesin drejt Superiores, ku Mazrekaj shënoi dy golat e fitores në Pogradec. 9 pikë të grumbulluara, 5 gola të shënuar dhe zero të pësuar është bilanci i Besës, ndërsa Pogradeci pëson humbjen e dytë.
Ndeshja- Kavajasit janë me fat, pasi e gjejnë golin shumë shpejt, duke i dhënë besim Besës për të arritur objektivin në “Gjorgji Kyçyku”. Në minutën e tretë Oliveira pengohet brenda zonës dhe gjyqtari akordon penallti për kavajasit. Mazrekaj tregohet i saktë në minutën e katërt nga pika e bardhë dhe shënon, 1-0 për Besën.
Vendësit nuk pajtohen me golin e pësuar dhe menjëherë hidhen në sulm në kërkim të barazimit të rezultatit. Besa sikur lëshon terren duke i dhënë mundësi Pogradecit që të dominojë dhe të krijojë raste për shënim. Në minutën e 17-të Pengu ka një mundësi për të barazuar, por topi kalon ngjitur me portën kavajase.
Më pas është sulmuesi kroat Panadiç, i cili krijon, por në fund nuk arrin që të mposhtë portierin Mehidri. Fraksioni i dytë nis pa zëvendësime. Pogradeci ndryshon taktikë, duke luajtur disi i tërhequr me shpresën që miqtë do të hapeshin në prapavijë.
Minuta 54, Ivani dhe portieri Baçi nuk merren vesh dhe Mazrekaj përfiton, i cili nga distanca nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë, 2-0 për Besën. Nikaj reagon direkt duke bërë tri zëvendësime, por pa rezultat.
Besa qarkullon topin dhe mbyll Pogradecin në fushën e tij. Portieri Mehidri mbeti spektator në këtë pjesë, pasi vendësit u treguan të plogësht. Padyshim në këtë pjesë dolën në pah cilësitë që mbart skuadra kavajase në përbërje. Gjithçka u mbyll 2-0 për Besën.
Shpërthimi i Nikajt- Pas ndeshjes trajneri i Pogradecit ka shpërthyer, ku më shumë e ka me ftohtësinë e tifozëve vendës. “Ndeshja nisi malore për ne, pasi që në fillim ndëshkohemi me një penallti. Pas golit ekipi reagoi mirë, pati raste për shënim.
Disa korne dhe mundësi për të barazuar, duke dominuar në çdo aspekt.
Pjesa e dytë vazhdoi e njëjtë, por pas atij gabimi, gjëra që ndodhin në futboll, u ndëshkuam sërish. Pas rezultatit 2-0 skuadra u “pre” komplet dhe u paraqit maksimalisht keq. Nuk duhet të ndodhte kështu, edhe pas pësimit të golit të dytë skuadra duhet të vazhdonte të luante si në fillim, pasi një gol i shënuar e hapte ndeshjen. Mbase ekipi ra edhe nën ndikimin e publikut, që nuk i falet të ketë këtë sjellje karshi skuadrës së tyre.
Ekipi ka bërë lojëra të mira, këtu dhe në Lushnjë. Në momentin që ekipi kishte më shumë nevojë për ata, pas 2-0, ata e ftohen ekipin. Nuk mundesha të bëja unë i vetëm nga pankina, pasi duhej edhe përkrahja e publikut. Kjo nuk erdhi dhe kjo gjë më trishton shumë”, u shpreh Samuel Nikaj