Shqipëria humb përsëri pozicione dhe kalohet edhe nga Gjeorgjia

Futboll

Shqipëria humb përsëri pozicione dhe kalohet edhe nga Gjeorgjia

Më: 13 shtator 2024 Në ora: 14:04
Kombëtarja shqiptare

Kombëtarja shqiptare  e futbollit ka humbur pozicione në klasifikimin e FIFA-s falë ndeshjeve të fundit në Ligën e Kombeve, ku kuqezinjtë regjistruan një fitore jashtë fushë, por edhe një humbje në shtëpi.

Suksesi ndaj Ukrainës në transfertë i dha Shqipërisë pikë të rëndësishme pasi kundërshtari renditej më lart se kuqezinjtë në renditjen e FIFA-s. Por fakti se Shqipëria ka humbur përballë Gjeorgjisë që renditej më oshtë, ka ndikuar negativisht dhe ka frenuar ngjitjen e mëtejshme të Shqipërisë.

Kësisoj, në vend që të fitonte pozicione, Shqipëria ka humbur dy të tilla dhe nga vendi i 66-të, ka shkuar në vendin e 68-të në renditjen ndërkombëtare.

Ky është pozicioni më i dobët i Shqipërisë në tre vitet e fundi të saj, ashtu siç ishte edhe në prillin e vitit 2023, kur kuqezinjtë sapo ishin mundur nga Polonia në debutimin e Silvinjos, i cili e mori përfaqësuesen tonë në vendin e 66-të. Renditja më e mirë në drejtimin e trajnerit brazilian është vendi i 59-të në këtë klasifikim, i regjistruar në tetorin e vitit 2023.

Në renditjen aktuale, Gjeorgjia ka kaluar Shqipërinë duke fituar 3 pozicione e duke qenë aktualisht në vendin e 67-të. Çekia gjithashtu ka fituar një pozicion, duke u renditur në vendin e 46-të, ndërsa Ukraina është ngjitur nga vendi i 25-të, në vendin e 24-t në renditjen e FIFA-s pas rezultateve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat