Lautaro Martinez synon të kalojë një tjetër sezon si protagonist tek Interi, ndërkohë që ai shpreson që të fitojë sërish titullin. Nga festa e yllit të dytë të zikaltërve argjentinasi shpalos objektivat.
“Ky yll i dytë do të mbetet brenda meje përgjithmonë, njësoj si te shokët e skuadrës. Ishte një gjë e veçantë, kjo është e vërteta. Në nivel klubesh ishte emocioni më i madh i jetës sime. Pastaj, sigurisht që Kupa e Botës me Argjentinën ishte ëndrra ime si fëmijë. Është shumë e vështirë të bësh një renditje të këtyre sukseseve.
Në bilbilin e fundit të derbit më 22 prill (ai i sigurisë matematikore të titulli) do të kisha dashur të vrapoja nën tribunën e tifozëve, por nuk munda, sepse u bllokova nga emocionet në ato momente.
Titulli i yllit të dytë për ne është i rëndësishëm, por nuk duhet të ndalemi. Duhet të vazhdojmë të fitojmë më shumë trofe dhe ta çojmë Interin sa më lart që të jetë e mundur”, deklaroi lautaro.