Besa e trajnerit Mirel Josa nuk ka të ndalur dhe falë eksperiencës së Mentor Mazrekajt kavajasit po marshojnë drejt objektivit madhor, rikthim në Superiore. Radhën për të provuar superioritetin e verdhezinjëve pati dje Kastrioti, që në “Arena Egnatia” u mund me tripletën e Mantor Mazrekajt.
Me këtë fitore Besa kryeson e vetme Kategorinë e Parë me 12 të plota, si dhe me 8 gola të shënuar dhe 0 të pësuar. Kavajasit janë skuadra e vetme që nuk kanë pësuar në 4 javë.
Ndeshja- Që në minutat e para u vu re një Kastriot që luante fort për topin e parë, ndonjëherë edhe duke ndërhyrë ashpër ndaj kavajasve. Trajneri Bubeqi kishte menduar që Mazrekaj të dublohej nga Zuna dhe Berisha, i cili duhej të kthehej nga sulmi në ndihmë të mbrojtjes. Në minutën e tretë Besa rrezikon me Rubenilson. Dy minuta më vonë, provon Stafa në hyrje të zonës, por Puja pret në dy kohë. Miqtë nga Kruja shfaqen për herë të parë me kavajasin Edmond Hoxha në minutën e 17-të, kur diagonalja e tij kalon ngjitur me shtyllën pingule.
Në të 36-ën minutë, Kastrioti shënon me Elvi Berishën, por anësori akordon pozicion të dukshëm jashtë loje. Miqtë sikur marrin zemër dhe përsëri Hoxha, këtë herë nga larg godet, por jashtë.
Në minutën e dytë shtesë, Mazrekaj me një goditje prirtazi e dërgon topin në rrjetë, edhe pse në zonë disa lojtarë u ngritën për të devijuar “sferën”. 1-0 për Besën mbyllet pjesa e parë.
Në të dytën, dominimi i Besës u bë më i theksuar, ndërsa krutanët u panë të frikësuar për të dalë përpara, ndonëse udhëzimet dhe ndërrimet e trajnerit Bubeqi ishin për një lojë sulmuese. Besa vihet në kërkim të golit të dytë. Në minutën e 55-të kavajasit dyfishojnë me të zakonshmin Mazrekaj.
Spahiu nga e djathta pason te Robinson, i cili brenda zonës e dërgon topin te kapiteni, i cili shënon dhe i çon shifrat në 2-0. Në të 72-ën, miqtë me Ajazin godasin, por Mehidri është aty. Në minutën e 73-të Mazrekaj bën tris duke i dhuruar Besës trepikëshin e radhës. Qyra tregohet i pakujdesshëm në kontrollimin e topit, duke i dhuruar Mazrekajt, i cili duke parë edhe daljen e portierit, nga jashtë zonën e dërgon topin në rrjetë dhe 3-0. Pas këtij momenti takimi nuk ka më histori, ndonëse krutanët mundohen të rrezikojnë me Ajazin. Gjithçka mbyllet me rezultat 3-0.