15 muaj pas finales në Stamboll, Manchester City dhe Interi rikthehen për t’u përballur në xhiron e parë të Ligës së re të Kampionëve. “Unë ju thashë në atë kohë sa të fortë ishin zikaltrit, tani më besoni, – filloi Pep Guardiola në konferencën e zakonshme për shtyp, para ndeshjes.
– Dje e pashë përsëri finalen e Stambollit për herë të parë. Më kujtohet se ishte një ndeshje shumë e ngushtë, me Interin që pati dy raste shumë të qarta. Ne patëm vetëm një rast me Foden, pas golit të Rodrit, por tani Interi është edhe më i fortë në Itali”. Më pas një batutë edhe për kolegun e tij Inzaghi: “Simone është një trajner i shkëlqyer”.
Si do të ndryshojë Champions League me formatin e ri?
Duhet të fitojmë ndeshjen e parë dhe më pas ato në vijim. Le të shohim se çfarë do të ndodhë. Duhet ta fillojmë mirë në shtëpi, do të përpiqemi ta nisim mbarë edicionin e ri.
Çfarë ndryshon fakti që duhet të luajnë fazën e grupeve të Champions-it edhe në janar?
Unë nuk mendoj për këtë, nuk mendoj për janarin apo shkurtin. Duhet të mendojmë për ndeshjet tani, duke filluar nga ndeshja e së mërkurës. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, në futbollin modern duhet të mendosh për të tashmen.