Guardiola: Interi fantastik, i ngjan Brentfordit

Futboll

Guardiola: Interi fantastik, i ngjan Brentfordit

Më: 18 shtator 2024 Në ora: 13:59
Pep Guardiola

Pep Guardiola thotë se skuadra e tij e Mançester Sitit do të luajë në ndeshjen hapëse të Champions League kundër Interit me një ekip që ka diçka të veçantë.

Interi i Simone Inzagit fitoi Serinë A në sezonin 2023/24 me 19 pikë përpara rivalëve të Milanit dhe arriti në finalen e Ligës së Kampioneve në sezonin e mëparshëm, ku “Qytetarët” dolën fitues 1-0 në Stamboll. Guardiola ishte plot lëvdata për zikaltrit në konferencën e djeshme.

“Është një ekip historik dhe me mentalitet të jashtëzakonshëm”, tha ai për Interin. “Ata janë ndërtuar për të fituar çdo ndeshje të vetme dhe për të fituar çdo garë. Vitin e kaluar ata fituan shumë dhe kjo do të thotë se në mendësinë e lojtarëve ata mund ta bëjnë këtë, gjë që është e ngjashme me ne.

Ata bëjnë presion lartë dhe shkojnë trup më trup kështu që janë të ngjashëm me Brentfordin në këtë aspekt pasi mbrojnë me mentalitetin tipik italian që duhet të vuajnë. Ata janë gjithashtu të fortë në grupe. Kanë cilësi të pabesueshme. Kanë lojtarë të mirë nga linja e dytë, veçanërisht Barela.

Nuk e di nëse ai do të jetë gati nesër (sot), por sa herë që Dimarko kroson, ata vijnë me katër ose pesë lojtarë në zonë. Ti nuk mund të arrish në finalen e Champions League dhe të fitosh Serinë A me 90 për qind të të njëjtëve lojtarë nëse nuk ke diçka të veçantë”, shtoi tekniku katalanas, duke thënë se formati i këtij sezoni të Ligës së Kampioneve ngjan shumë më atë të Premier Ligës:  “Këtë sezon Liga e Kampioneve do të jetë si Premier Liga. Ti fiton ndeshjet dhe shikon renditjen”.

“TOPI I ARTË” – Ai shtoi në konferencë se ylli i skuadrës së tij, Rodri, mund të mposhtet për çmimin e “Topit të Artë” të këtij viti nga një prej lojtarëve yje të Interit. Mesfushori spanjoll është një nga favoritët e mëdhenj për të fituar çmimin këtë vjeshtë, me konkurrencë të pritshme nga lojtarë si Vinicius Jr i Realit të Madrid dhe Xhud Bellingam. Megjithatë, i pyetur nga gazetarët italianë nëse është e mundur që Lautaro Martinez ta fitojë, i cili gjithashtu është një kandidat për të fituar këtë trofe, Pep u përgjigj:

“Ndoshta, pse jo. Unë do të preferoja që një lojtar nga ekipi ynë ta fitonte atë çmim. Ai (Lautaro Martinez) është një lojtar i madh. Ai fitoi Kupën e Botës dhe Kupën e Amerikës së Jugut me Argjentinën. Interi ka shumë lojtarë të mirë”. Dhe në fund edhe elozhet për sulmuesin e tij, Erling Haland: “Erling e ka mposhtur rekordin e golave të mi në karrierë në katër ndeshjet e tij të para për Mançester Sitin këtë sezon në Premier Ligë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat