Koha për reflektim, blutë e Teutës janë të dënuar për kthesën. Koha në dispozicion ka krijuar mundësinë e eksperimenteve. Sidomos për skuadra ku gjërat nuk kanë ecur si duhet, si në rastin e Teutës.
Trajneri Edi Martini ka menduar të bëjë lëvizje në skuadër për ndryshimin e situatës, duke nisur nga ndeshja me Dinamon në kampionat.
Deri në janar Teuta do të shkojë me këtë grup futbollistësh që ka aktualisht. Ndoshta nuk është ai më i miri që “Djemtë e Detit” do të kishin dashur, por realisht nuk është një grup për vendin e 6-të në renditje. Mundësitë janë për më shumë, skuadra ka kualitet për të qenë shumë më lart në klasifikim. Trajneri Martini dhe stafi i tij në këto ditë përgatitjesh po mundohen të sistemojnë gjërat, në mënyrë që të marrin më të mirën e kësaj Teute në vazhdim të garës.
Ndeshja e radhës ndaj Dinamos, që do të luhet të dielën, shihet si pika e kthesës. Një ndeshje shumë e rëndësishme kjo, ku në rast fitoreje të mundshme ata do të shkonin 9 pikë dhe do ta rregullonin jo pak situatën. Stafi teknik do të ketë të gatshëm gjithë lojtarët, ku në dyshim jan Arifi, e Mingo, të cilët ndiejnë shqetësime.
OSHILACIONET- Dita e diel, do të sjellë ndeshjen e javës së 6-të për Teutën, teksa do të përballet me Dinamon në “Niko Dovana”. Në gjykimin e parë, duke ndjekur ndeshjet e zhvilluara deri tani, shohim një ekip që mund të vendosë diktatin e saj, por dhe që dorëzohet pa kushte në momente caktuara dhe oshalicionet janë prezente. Në një sezon ka momente ku gabimet marrin një dimension. Ky sezon po rezulton si një prej edicioneve me më shumë ekuilibër në dekadën e fundit, nuk ka një ekip superfavorit dhe, duke qenë që diferencat janë të pakta, hapësira për të gabuar është ngushtuar shumë për Teutën.
PËRGATITJET- Lojtarët e Teutës kanë vijuar përgatitjet për ndeshjen e radhës me Dinamon. Kjo është një sfidë që për durrsakët vlen shumë, aq më tepër që luajnë me një ekip që lufton për “Final 4”. Blutë e drejtuar nga Edi Martini kanë zhvilluar një seancë stërvitore me intensitet të plotë në ambientet e stadiumit “Niko Dovana” Atmosfera është e mirë, dhe kundër Dinamos synohen tri pikët.
Në prolog të stërvitjes, trajneri Martini u foli futbollistëve për rëndësinë e kësaj ndeshje duke u kujtuar se në këtë moment rëndësi kanë vetëm pikët. Ai insistoi se Teuta ka një grup kompetitiv dhe me pak më tepër impenjim mund të arrijë gjëra të mëdha në këtë fushatë.