Ndarja e parakohshme nga jeta e ish-deputetit, Gert Bogdani, ka trishtuar të gjithë opinionin publik. 44-vjeçari, i cili njihej dhe si një dashamirës i madh i futbollit, ndërroi jetë sot pas një arresti kardiak.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i ka shprehur ngushëllimet familjes Bogdani për këtë humbje të madhe, duke vlerësuar kontributin që Gerti dha në politikën dhe shoqërinë shqiptare gjatë karrierës së tij.
“Jam i tronditur për lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta të Gert Bogdanit.
Ky është një moment i dhimbshëm për familjen, miqtë dhe gjithë ata që patën fatin të njihnin një njeri me vlera të jashtëzakonshme si Gerti.
Ai ishte një personalitet i rrallë, me integritet dhe përkushtim të pashoq, që dha kontribut të rëndësishëm në politikën shqiptare, por njëkohësisht ishte edhe një dashamirës i madh i futbollit, që nuk mungonte në stadiumet shqiptare si tifoz.
Humbja e tij lë një boshllëk të madh, por trashëgimia e tij do të jetojë në kujtimet e gjithë atyre që e vlerësuan për zemrën e tij të madhe dhe përkushtimin e tij ndaj Shqipërisë. Në këto momente të vështira, i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Bogdani dhe të gjithë të afërmve të tij. Pushoftë në paqe!”, – shkruan Presidenti Duka në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale.