Kërcënuan presidentin e FSHF-së, lirohen nga qelia

Futboll

Kërcënuan presidentin e FSHF-së, lirohen nga qelia

Më: 18 shtator 2024 Në ora: 22:29
Armand Duka

Ngjarja e disa javëve më parë, kur në shtëpinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit pas disa mesazheve kërcënuese, ishin paraqitur disa persona, mes të cilëve presidenti i klubit të futbollit Iliria, babai i katër lojtarëve, Nazmi Selmani, së bashku me disa familjarë, shkaktoi panik në ambientin e futbollit shqiptar.

Një ngjarje e paprecedentë që rezultoi me reagimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit, ku u arrestuan nën akuzës së “Kanosjes për Shkak të Detyrës” personat e përfshirë. Hetimet vazhduan dhe ndaj një pjesë prej tyre, u mbajt masa e arrestit me burg.

Por ngjarja e ndodhur solli menjëherë një kërkesë falje nga ana e personave të përfshirë dhe familjarëve të kësaj familjeje, që është e lidhur ngushtë me sportin e futbollit, një reagim i sinqertë dhe pendesë që ka patur efektin e saj.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, si personi i prekur personalisht në këtë situatë, në kuadrin e promovimit të vlerave të sportit dhe futbollit, e ka vlerësuar pozitivisht këtë situatë duke zgjedhur t’i falë, madje edhe zyrtarisht të gjithë të përfshirët e kësaj ngjarjeje nëpërmjet një letre drejtuar organeve kompetente.

Mësohet se pranimi i pendesës ka shkuar në organet ligjzbatuese së bashku me falënderimin ndaj tyre, për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar në momentin e duhur, duke krijuar kështu një precedent dhe një normë të re në shoqërinë tonë.

Ka qenë pikërisht kërkesa e Dukës që ka sjellë edhe lirimin nga burgu sot të presidentit të klubit Iliria, Nazmi Selmani, dhe nipit të tij, Petrit Selmani.

Numri 1 i futbollit shqiptar siç bëhet me dije, ka vendosur krejtësisht me vullnet të lirë të gjejë mirëkuptimin dhe kushtet e bashkëpunimit në një ambient të qetë, në të mirë të futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat